Tirana mund Flamurtarin, vendos goli i Myslovič

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Tirana fitoi 1-0 ndaj Flamurtarit në stadiumin “Selman Stermasi” dhe rindezi betejën për mbijetesë. Ndeshja e vlefshme për javën e 21-të të Superligës dhuroi emocione për sportdashësit.
Bardheblutë arritën të marrin një tripikësh të rëndësishëm ndaj një rivali të drejtpërdrejtë për mbijetesë si Flamurtari. Sfida u vendos nga goli i Patrik Myslovič në minutën e 77-të. Trekuartisti sllovak bashkëpunoi mirë me Xhixhën gjatë një inkursioni në zonën e kuqezinjve mysafirë, nga ku dhe goditi me të djathtën e tij, duke dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga portieri i Flamurtarit.
Pas këtij momenti, kuqezinjtë nga Vlora ushtruan presion ndaj portës së Tiranës, por bardheblutë e menaxhuan mirë ndeshjen, duke mos lënë hapësira në prapavijë dhe duke ruajtur portën e paprekur.
Ky tripikësh e ngjit Tiranën në kuotën e 17 pikëve, një më pak se Flamurtari i vendit të parafundit dhe dy më pak se Bylisi, duke rihapur betejën mes tre skuadrave për mbijetesë.
Kjo fitore vjen në një moment të trishtë për bardheblutë, pasi një ditë më parë vajza 10-vjeçare e futbollistit të kryeqytetasve, Freddy Alvarez, humbi jetën tragjikisht pas një incidenti në banesë.
Pak para nisjes së sfidës, futbollistët e të dyja skuadrave u mblodhën në mesin e fushës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Irinës, vajzës së futbollistit të KF Tiranës, Freddy Alvarez, e cila u nda tragjikisht nga jeta pa mbushur ende 10 vjeç.
Gjatë minutës së heshtjes, tifozët u panë në lot, dukshëm të prekur nga humbja e vogëlushes, e cila prej tre javësh banonte në kryeqytet, pasi i ati, mesfushori i bardhebluve, ishte bashkuar vetëm këtë janar me KF Tiranën.
Ultrasit e bardhebluve, “Tirona Fanatics”, kishin përgatitur edhe një banderolë në nderim të saj, ndërsa futbollistët dhe stafet e të dyja skuadrave u drejtuan drejt tribunave dhe me lule në duar nderuan kujtimin e saj.
Irina Alvarez Esquivel, vogëlushja që do të mbushte 10 vjeç në qershor të këtij viti, dyshohet se u rrëzua nga krevati dykatësh dhe pësoi lëndime të rënda, të cilat rezultuan fatale.
Ndeshja mes KF Tiranës dhe Flamurtarit ishte e programuar për të shtunën, por pas dakordësisë mes klubeve u shty me 24 orë.
Ndeshjet e javës
Bylis-Egnatia 2-2
Vllaznia-Pratizani 1-0
Teuta-Vora 1-1
Tirana-Flamurtari 0-0
Elbasani-Dinamo City në 17:00
Klasifikimi: Vllaznia dhe Egnatia 39 pikë, AF Elbasani 35, Dinamoi City 33, Teuta 27, Partizani 26, Vora 24, Bylisi 19, Flamurtari 18 dhe Tirana 17