E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana rikthen Emmanuel Ernest, afrimi i katërt në merkaton e dimrit

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Tirana vijon pa u ndalur në merkaton e dimrit, duke zyrtarizuar afrimin e katërt për këtë fazë të sezonit.

Klubi bardheblu ka konfirmuar rikthimin e sulmuesit Emmanuel Ernest, i cili vjen për të forcuar repartin e sulmit, në një moment delikat për skuadrën.

25-vjeçari ishte pjesë e Tiranës sezonin e kaluar, por u largua gjatë verës për të vazhduar karrierën tek USM Alger në Algjeri.

Megjithatë, aventura e tij atje nuk rezultoi sipas pritshmërive dhe palët vendosën të ndërpresin bashkëpunimin. Kjo situatë u shfrytëzua menjëherë nga Tirana, e cila siguroi rikthimin e sulmuesit.

Ernest ka firmosur zyrtarisht kontratën dhe është prezantuar nga drejtori sportiv Omer Bunjaku, duke u vënë menjëherë në dispozicion të stafit teknik.

Ky është afrimi i katërt për bardheblutë pas Patrik Myslovic, Johan Enrique Cortes Alfaro dhe Freddy Antonio Alvarez Rodriguez, ndërsa klubi ka nisur një revolucion të thellë në organikë, me disa largime të rëndësishme.

Shkak për këto lëvizje të shumta është bërë ecuria zhgënjyese në kampionat, me Tiranën që aktualisht renditet në vendin e fundit të Kategorisë Superiore dhe rrezikon seriozisht rënien.

Drejtuesit shpresojnë që përforcimet e reja, mes tyre edhe Ernest, të sjellin kthesën e shumëpritur.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›