E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet në Malishevë, evakuohen disa familje

PRISHTINË, 6 janar /ATSH/ Gjendja nga vërshimet në komunën e Malishevës është e rënduar nga reshjet, teksa autoritetet lokale janë në terren duke menaxhuar situatën.

Ekipi i KosovaPress raporton se janë evakuuar gjashtë familje si pasojë e këtyre vërshimeve.

Zyrtari për informim në komunën e Malishevës, Artan Paçarizi theksoi për Kosovapress se njësiti emergjent ka ndërhyrë në gjashtë familje të cilat janë detyruar të evakuohen si pasojë e të depërtimit të ujit në shtëpitë e tyre.

Paçarizi ka shtuar se ka dëme materiale të cilat do të vlerësohen pas qetësimit të situatës.

“Gjendja është e rënduar për shkak të reshjeve si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Mirushë dhe një pjesë e madhe e rrugëve janë të bllokuara për shkak të prezencës së ujit në rrugë. Gjithashtu kemi pasur edhe depërtim të ujit në disa familje, vendbanime edhe në qytet dhe fshatra. Njësiti emergjent ka ndërhyrë në gjashtë raste ku është bërë evakuimi i banorëve…

Diku rreth 14 banorë, banorët janë në vende të sigurta, te të afërmit e tyre, pastaj janë dërguar në Suharekë. Ka dëme materiale në shtëpi banimi qoftë në pajisje, mobile po për këtë menjëherë pas qetësimit të situatës Komisioni Komunal është duke bërë vlerësimin e dëmeve… Ne duhet të menaxhojmë situatën me aq sa kemi kapacitet, deri më tani situata është e menaxhueshme”, tha ai.

Ndërkaq, në komunën e Drenasit, konkretisht në Komoran, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, disa biznese janë përballur me vërshime, ndërsa që nga orët e para të mëngjesit po tentojnë të largojnë ujin nga ambientet e tyre. Edhe në disa komuna tjera të vendit gjendja është e rënduar nga vërshimet.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›