Arrestohen në Rinas gjashtë shtetas kinezë dhe një shtetase bjelloruse

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë goditur gjashtë raste të tentativës së kalimit të paligjshëm të kufirit me dokumente false dhe një rast kontrabande.
DVP Tiranë bën me dije se në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim”, shtetasit M. B., 29 vjeç, X. Zh., 66 vjeç, Zh. W., 52 vjeç, H. J., 45 vjeç, W. Zh., 38 vjeç dhe shtetasja G. H., 43 vjeçe, të gjithë shtetas kinezë.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit të këtyre shtetasve, ata kanë paraqitur pasaporta të shtetit të Hong-Kongut, për të cilat shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara.
Policia njofton se nga ekzaminimi në laborator, pasaportat rezultuan të falsifikuara.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit të dokumentacionit në hyrje, shtetasja A. W, 45 vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte në itinerarin Treviso-Tiranë, në intervistimin nga punonjësi i Policisë janë ngritur dyshime për qëllimin e udhëtimit në Republikën e Shqipërisë dhe për këtë arsye ka kaluar për kontroll në vijën e dytë.
Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shtetases A. W iu gjetën dhe sekuestruan një sasi mallrash për qëllime estetike (botox dhe fillera), për të cilat kërkohen kushte të veçanta për transport, si dhe licencë e posaçme zotërimi dhe përdorimi, të cilat kjo shtetase nuk i kishte.
Policia thekson se në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetases A. W., për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/e.i/a.f/r.e/