E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë/ Dyshohet se vunë eksploziv në derën e banesës së një 72-vjeçari, shpallen në kërkim tre vëllezër

Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 8 gushtit në lagjen “Tufinë” në Tiranë. Policia ka shpallur në kërkim tre vëllezër, të dyshuar si autorë të vendosjes dhe shpërthimit të lëndës plasëse në derën e banesës së një 72-vjeçari.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 00:30, në lagjen “Tufinë”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në derën e banesës së shtetasit J. M., 72 vjeç. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të pakta materiale.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan operacionin e koduar “Motivi”, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Sipas policisë, falë veprimeve hetimore, këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe administrimit të provave, u bë e mundur dokumentimi i rastit dhe identifikimi i autorëve të dyshuar.

Në vijim të veprimeve procedurale, janë shpallur në kërkim tre vëllezër: E. A., 39 vjeç, A. A., 43 vjeç dhe M. A., 41 vjeç. Ata dyshohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, policia dyshon se tre vëllezërit, për motive të dobëta, kanë vendosur dhe më pas kanë shpërthyer lëndën plasëse në derën e banesës së 72-vjeçarit.

Sipas policisë, tre personat e shpallur në kërkim kanë precedentë të mëparshëm penalë.

Ndërkohë, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›