Tiranë/ Kapen në flagrancë dy persona që shpërndanin drogë! Sekuestrohen kokainë, kanabis, armë dhe mjete prerëse

Policia e Komisariatit Nr. 3 në Tiranë ka goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në doza, duke vënë në pranga dy shtetas që bashkëpunonin në shpërndarjen e kokainës dhe kanabisit.
Të arrestuarit janë E. F., 43 vjeç dhe I. K., 37 vjeç, banues në Tiranë, të cilët u kapën në flagrancë në rrugën “Mahmut Bobrati”. Gjatë kontrollit, atyre iu gjetën sasi dhe doza të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, dy thika dhe dy pistoleta sportive, që u sekuestruan si prova materiale.
Sipas hetimeve paraprake, të dy personat dyshohet se e siguronin lëndën narkotike, e ndanin në doza në një ambient të përdorur nga E. F., dhe më pas e shpërndanin në zona të ndryshme të Tiranës.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.
/vizionplus.tv