E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, arrestohen tetë shtetas të kërkuar për vepra të ndryshme penale

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Një plan i posaçëm kontrollesh dhe punë operative intensive për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim ka çuar në arrestimin e tetë shtetasve në Tiranë, të përfshirë në vepra të ndryshme penale.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, personat e arrestuar ishin të kërkuar për vepra penale që lidhen me krime të rënda kundër personit, armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, si dhe krimet ekonomike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, vunë në pranga shtetasin K. T., 39 vjeç, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, specialistët e të njëjtit seksion vunë në pranga edhe shtetasin E. B., 31 vjeç, i dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, vunë në pranga shtetasin N. M., i dënuar me 4 muaj burgim për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin S. V., 18 vjeç, i cili ishte i kërkuar për llogari të DVP Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, arrestuan shtetasin K. Xh., i dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, arrestuan shtetasin R. L., 26 vjeç, i dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Sipas Policisë, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur 1 muaj e 3 ditë burgim.

Gjithashtu u arrestua shtetasi O. N., 30 vjeç, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin K. M., 29 vjeç, i cili ishte në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë ndalimit, shtetasit K. M. iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›