E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon në ditën e 117-të protesta para Kryeministrisë

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Në ditën e 117-të të protestave kundër investimit të planifikuar në Zvërnec qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë.

Protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Me pankarta në duar dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit vijuan me artikulimin e kërkesave të tyre për largimin e të ashtuquajturës “kastë e vjetër politike”.

Nga foltorja e protestës, aktivistja Sidorela Vatnikaj reagoi ndaj ndalimeve dhe arrestimeve të aktivistëve, gjatë protestës së sotme para parlamentit, të cilat i cilësoi si të paligjshme.

“Prej mëngjesit janë mbajtur në mënyrë të paligjshme dhjetëra protestues vetëm se protestonin para parlamentit, atij që i themi që nuk përfaqëson interesat tona, por interesat e krimit të organizuar. Sot ata janë arrestuar në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme. Në një shtet ku shefat e policisë i ka emëruar Ergys Agasi, ku shefja e SHISH në vend që t’i jepte informacione policisë për ta arrestuar, i ka dhënë për t’i shpëtuar drejtësisë. Ergys Agasi lëvizte i lirë, ndërkohë që protestuesit arrestohen dhunshëm”, tha ajo.

Aktivistët bënë thirrje për vijimin e mobilizimit qytetar.

Protesta, e nisur në 31 maji si kundërshtim ndaj projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, është zgjeruar gjatë javëve në vijim edhe me kërkesa politike dhe institucionale.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›