E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konstituohet Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën zhvilloi sot mbledhjen e parë konstituuese, gjatë të cilës u miratua edhe kalendari i punës së komisionit për periudhën 1-19 tetor.

Kryetarja e komisionit, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, tha në fjalën e saj se “një komision i tillë nuk ka ekzistuar më parë në legjislaturën e kaluar, por edhe në Kuvend. Ai është një miksim i çështjeve që më parë adresoheshin në komisione të ndryshme, por ka edhe një risi që është çështja e diasporës”.

“Për herë të parë diaspora adresohet me një komision, ka mundësinë të merret posaçërisht me çështjet e diasporës edhe e lidhur me faktin se për herë të parë diaspora u mundësua të votonte në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit. Në këto zgjedhje diaspora vërtet u mundësua të votonte, por u pamundësia që të shprehte vullnetin e saj të vërtetë politik, për shkak se ajo që duhet të ishte një votë e paanshme, e garantuar me siguri dhe e pacenueshme u kthye siç e patë dhe vetë, dhe siç e panë gjithë shqiptarët, në thasë të gatshëm me zarfa të parafabrikuar, në rezultat të pritshëm”, nënvizoi Zhupa.

Ajo shtoi se kjo është diçka që komisioni duhet ta adresojë në të ardhmen, se si mund t’i japë siguri votës së diasporës në mënyrë të tillë që të merret zarfi personalisht, të vijë vota e votuar dhe të numërohet ajo që ka hedhur dhe që ka zgjedhur diaspora.

Zhupa u shpreh se “një nga arritjet e mazhorancës ka qenë shtimi i numrit të diasporës. Fatkeqësisht në 12 vite kanë ikur më shumë shqiptarë seç kanë ikur në gjithë periudhën e tranzicionit. Kjo na e bën punën e komisionit më të rëndësishme dhe më të domosdoshme, por na duhet të gjithë bashkë si ligjvënës dhe komision të punojmë më shumë që të mos na ikin shqiptarët, të qëndrojnë në Shqipëri dhe të kemi sa më pak rrjedhje të trurit, elementet e emigraconit ekonomik, të azilkërkimit, të cilat nuk i bëjnë nder dhe nuk i bëjnë mirë Shqipërisë në zhvillimin e saj”.

Zëvendëskryetari socialist i Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Erion Malaj tha se “interesi ynë i përbashkët në këto fusha që mbulon ky komision është interesi i qytetarëve, janë fusha që prekin identitetin e vendit, pasurinë, perspektivën e vendit dhe janë tepër të rëndësishme siç është trashëgimia kulturore e me radhë. Ndërkohë që zhvillimi i turizmit sot si motor ekonomik ka bërë që Shqipëria të ketë një tjetër vëmendje ndërkombëtare”.

“Uroj të jemi gjithmonë e më në zhvillim sa i përket fushës së turizmit ne duhet të japim rolin tonë në këtë komision të përpiqemi përmes politikave që do të ndjekin të jemi sa më funksionalë, sa më mbështetës ndaj të gjithë institucioneve, ti përgjigjemi kërkesave të tyre ashtu si edhe ata kërkesave tona”, tha Malaj.

Duke folur për kulturën, Malaj tha se “besoj që mund të bëhet shumë më shumë, por patjetër kemi arritje të mëdha sa i përket kulturës në vend dhe duhet një promovim i gjerë i gjithë aktiviteteve kulturore”.

Malaj u ndal edhe tek diaspora, duke theksuar se “jam ndër ata të rinj që ka jetuar disa vite jashtë diaspora është shpirt i vendit dhe e ardhmja e vendit, kjo sepse në gjykimin tim janë ambasadorët më të mirë që Shqipëria ka në botë, të rinj e të reja, por edhe familje që kanë vite që jetojnë nëpër botë që kanë kontribuar gjithmonë në ekonominë e vendit tani kontribuojnë edhe në zgjedhje, si në ato të 11 majit”.

Kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën është Ina Zhupa, zëvendëskryetar i Komisionit është Erion Malaj, sekretar është Arkend Balla, ndërkohë që anëtarë janë Xhenis Çela, Loer Kume, Skënder Pashai, Klodiana Spahiu, Ramion Kurti, Agron Gjekmarkaj, Jozefina Topalli, Denisa Vata, Ana Dajko.

Mbledhja e radhës e komisionit do të zhvillohet ditën e hënë, datë 6 tetor.

1 nga 5

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›