Topi: “Respektoj çdo vendim të Kuvendit për dekretet”
Presidenti Topi ka reaguar për herë të parë për rrëzimin e dekreteve nga maxhoranca në Kuvend. Ai është shprehur se do të respektojë çdo vendim të Kuvendit, ndërsa garantoi se janë respektuar kriteret profesionale për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. “Unë kam një eksperiencë relativisht të gjatë parlamentare. Në rast se e keni vënë re me vëmendje, jam përkrahës i ndarjes në mënyrë të qartë të kompetencave dhe të drejtave të pushteteve të ndryshme në Shqipëri. Po t’i referohemi Kushtetutës, Presidenti, në rastin e dekreteve, ka të drejtën t’i paraqesë në mënyrë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë kandidaturat, në rastin konkret për në Gjykatën e Lartë dhe për në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është një e drejtë ekskluzive e institucionit të Presidentit, dhe jo e imja si person, sepse institucioni do të vazhdojë edhe kur të mos jem më unë president, kompetencë të cilën unë e kam bërë publike nëpërmjet në procesi shumë transparent. Gjithmonë, në demokraci, çdo institucion ka nevojë të përsoset, kështu që nuk duhet të frikësohemi nëse ka tentativa për ta bërë një proces më korrekt. Në këtë rast nuk fola për asnjë institucion tjetër, fola për institucionin që unë mbuloj. U takon institucioneve të tjera, në rastin konkret institucionit të Kuvendit, të marrë të gjitha vendimet që janë në kompetencë të tij. Nuk do t’ia lejoja vetes të bëja koment për një përgjegjësi, për një kompetencë që nuk është e imja. Do të respektoj çdo lloj vendimi që vjen nga Kuvendi i Shqipërisë”, - është shprehur presidenti Topi. Më tej ai garantoi se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave është realizuar nga një grup profesionistësh. “Ju siguroj në cilësinë që kam si kryetar shteti, se i tërë procesi i përzgjedhjes dhe i dërgimit të kandidaturave është bërë jo thjesht për ekzibicion, por është bërë me një grup profesional jashtë vullneteve për të bërë supervizion për çdo kandidaturë, së pari mbi bazën e kërkesave të ligjit dhe, së dyti, mbi bazën e CV-ve personale të të gjithë këtyre personave. Tani këto kandidatura kanë shkuar atje, i takon Kuvendit të shprehet. Nuk mund të bëj asnjë lloj promocioni për askënd, por patjetër që do të pres vendimin që do të marrë Kuvendi. Duhet të mësohemi që në demokraci pushtetet funksionojnë në këtë mënyrë, çka presupozon dhe ju garantoj që nuk kam lejuar asnjë lloj ndërhyrjeje, interference apo lobingu në procesin e vendimmarrjes time. Vetëm në këtë mënyrë institucionet në Shqipëri do të forcohen, pavarësisht nga trauma momentale që mund të kenë këto marrëdhënie. Unë ju siguroj që vetëm në këtë mënyrë ne garantojmë një proces serioz, objektiv dhe të papolitizuar”, - është shprehur Topi.
9 Qershor 2010