Trafikonin armë nga Mali i Zi dhe i shisnin në Tiranë, goditet grupi kriminal. Në pranga 2 persona, sekuestrohen 6 pistoleta

Goditet grupi kriminal i përfshirë në trafikun dhe shitjen e armëve të zjarrit në Tiranë. Dy persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin armë nga Mali i Zi me qëllim shitjen e tyre në zonën e Freskut në kryeqytet.
Në kuadër të operacionin “Rotondo”, u bë e mundur arrestimi i D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre E. S..
Policia sekuestroi 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer), automjetin tip “Volkswagen” si dhe 4 celularë.
“Si rezultat i një hetimi të kryer për 2 muaj, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, finalizuan operacionin e koduar “Rotondo”.
Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.
Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.
Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.
Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S..
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/