“T’raftë zilja në pikë të zhegut”, Rama përcjell pankartën e protestës

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale një nga pankartat e protestuesve për Zvërnecin.
“Rama, t’raftë zilja në pikë të zhegut”, thuhet me humor në pankartën që përcolli Kryeministri.
Sot është dita e dymbëdhjetë e protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec në Vlorë ndërsa qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit, të klasës politike, mbrojtjen e natyrës, anulimin e projektit në Zvërnec dhe pika të tjera të artikuluara gjatë fjalimeve në shesh.
Edhe më herët, Kryeministri Rama ka përcjell pankartat krijuese që kanë sjellë protestuesit në shesh duke shprehur se e argëton kreativiteti i tyre.
“Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve, për të cilat sinqerisht u përcjell përgëzime e falenderime autorëve”, shkroi Rama krahas disa memeve nga protesta disa ditë më parë.