E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Halloween/ Gëlltiti një tullumbace, humb jetën foshnja në SHBA, pak ditë para ditëlindjes së parë

Një festë familjare për Halloween është kthyer në tragjedi në Wisconsin të SHBA-së, ku një foshnjë humbi jetën pasi gëlltiti një pjesë të një tullumbaceje në formë kafshe. Vogëlushi Don’Vyaire Avita-Mays ishte vetëm dy ditë larg ditëlindjes së tij të parë kur ndodhi ngjarja e rëndë, më 24 tetor.

Sipas dëshmisë së familjarëve, tullumbacja shpërtheu dhe një pjesë e saj, së bashku me nyjën e lateksit, i ngeci foshnjës në fyt, duke i bllokuar rrugët e frymëmarrjes.

Nëna e tij, Kisha Avita-Wilson, ka rrëfyer momentet e tmerrshme kur kuptoi se i biri po mbytej dhe u përpoq me dëshpërim ta shpëtonte. Ajo tregoi për NBC Chicago se e nxori menjëherë nga sedilja e makinës, i kreu manovrat e reanimimit kardiopulmonar (CPR) dhe u përpoq t’i hiqte pengesën nga fyti.

“E nxora menjëherë nga sedilja e makinës. I bëra CPR…”, rrëfeu nëna.

Personi që ndodhej me të u përpoq gjithashtu të ndërhynte, por gjendja e foshnjës u përkeqësua me shpejtësi. Vogëlushi filloi të nxihej dhe pësoi arrest kardiak.

Edhe pas mbërritjes së ndihmës së parë, përpjekjet për ta shpëtuar vazhduan. Ekipet mjekësore u përpoqën të hiqnin fragmentin e tullumbaces duke përdorur një tub dhe pinca, por nuk arritën ta shpëtonin.

Nëna tregoi se familjarët ishin përpjekur gjatë gjithë festës t’i mbanin tullumbacet larg foshnjës, por njëra prej tyre u shkëput dhe vogëlushi arriti ta kapte e ta kafshonte.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›