E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia me 40 viktima/ Shqiptarja në Zvicër zbulon detajet e rënda: Pronarët e barit kishin ndërhyrë në strukturë. Ka pasur akte heroizmi mes flakëve

Tragjedia në Crans-Montana, Zvicër, e cila ndodhi në orët e para të 1 janarit 2026, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rënda. Zjarri që shpërtheu për shkak të një fishekzjarri në barin e njohur “Le Constellation” la pas 40 viktima dhe 116 të plagosur.

Suela Jorgaqi, drejtuese e bibliotekës “Pestalozzi” në Zyrih, në një lidhje direkte me Andri Xhahun në emisionin “Në Radio” zbulon më shumë nga ngjarja e rëndë. Sipas saj, pronarët e barit kishin ndërhyrë në strukturën e ndërtesës. “Pronarët janë një çift francez nga Korsika. Ata vetë kishin bërë ndryshime ndoshta pa leje dhe pa ndihmë profesionale. Shkallën e hyrje-daljes e kishin zvogëluar duke dashur të zgjerojnë verandën. Ky ishte problemi, që njerëzit u dyndën dhe nuk dilnin dot”, tregon Jorgaqi e cila shton se dalja e emergjencës nuk funksiononte.

“Pronarët kishin vendosur gjithashtu stiropore që neutralizojnë zhurmën por që digjen shumë kollaj. Nga fishekzjarrët, stiroporet në tavan kanë marrë flakë menjëherë dhe zjarri është përhapur shumë shpejt. Madje edhe pronarë të klubeve të tjera i kanë hequr menjëherë që të mos ndodhin të tilla fatkeqësi”, tha ajo.

Sipas medies zvicerane, pronarët kanë pranuar se në dhjetë vite kanë bërë vetëm tre kontrolle. “Pronarët janë nën hetim por nuk janë të arrestuar. Të gjitha baret dhe restorantet në Zvicër kontrollohen vazhdimisht, por në dhjetë vjet vetëm tre kontrolle, kjo është pak e dyshimtë”, shprehet Jorgaqi.

Ajo tregon se evakuimi i të plagosurve është bërë me helikopterë. “I kanë shpërndarë në kohë rekord në spitalin e Zyrihut, që është i specializuar për djegiet, në spitalin e Lozanës, Gjenevës, dhe në vende të tjera”.

Në mesin e viktimave ka pasur adoleshentë dhe të rinj zviceranë, italianë, ukrainas, francezë e portugezë. “Kemi dëgjuar histori të tmerrshme. Një djalë që kërkonte të motrën. Një vajzë tjetër thoshte mbylla sytë e tmerruar dhe thosha vetëm që nuk dua të vdes. Një futbollist i ri i talentuar Dos Santos (Tahirys Dos Santos), i cili shpëtoi vetë, më pas u kthye që të ndihmonte të dashurën. Në ato moment ekstremi, të kthehesh aty brenda dhe të shpëtosh një jetë njeriu, është një akt trimërie e paparë”, tha Jorgaqi duke shtuar se ka pasur dhe kalimtarë që kanë hyrë mes flakëve për të ndihmuar. “Ata kanë përfunduar në spital të helmuar nga tymi. Kanë thithur gaz të dëmshëm dhe janë nën mbikëqyrjen e mjekëve”.

Sipas Jorgaqit, të mbijetuarve u janë vënë psikologë në dispozicion për traumat që kanë përjetuar. “Të plagosurit janë të djegur deri në kocka. Uroj që këta të rinj ta marrin veten, sepse është një traumë për gjithë jetën. Besoj se do merren masa dhe jam e bindur që kontrollet do të jenë më të rrepta. Zvicra nuk mund t’ia lejojë vetes këtë tragjedi”, përfundoi ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›