Tragjedia në Elbasan me 1 të vdekur dhe 10 të lënduar, ekspertët ndalojnë kërkimin e personit që raportohet i zhdukur nga shpërthimi në pallat! Ndërtesa paraqet rrezikshmëri
Pezullohet operacioni për kërkimin e personit që rezulton i zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm në pallatin në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan. Ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë vendosur të ndërpresin përkohësisht kërkimet, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqet ndërtesa.

Dëmtimet e rënda strukturore të pallatit e bëjnë të rrezikshme ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit, ndaj operacioni nuk mund të vijojë në këto kushte.
Bilanci i deritanishëm i tragjedisë është një viktimë (82-vjeçare) dhe 10 persona të lënduar. Shpërthimi dhe zjarri që pasoi shkaktuan dëme të mëdha në ndërtesën pesëkatëshe, ku raportohet edhe për shembjen e një pjese të strukturës.
Ndërkohë, ende nuk dihet fati i personit të raportuar të zhdukur. Shkaku i shpërthimit mbetet për t’u konfirmuar nga ekspertiza, ndërsa dyshimet paraprake lidhen me shpërthimin e një bombole gazi.