Të dyshuar se torturuan protestuesit në garazhin e qeverisë gjatë tubimeve studentore, arrestohet komandanti i njësisë speciale anti-terror në Serbi dhe tetë të tjerë
Tetë efektivë policie dhe një ish-punonjës i Policisë në Serbi janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të keqtrajtimit dhe torturës në garazhin e godinës së Qeverisë serbe, në gusht të vitit të kaluar.

Mes të arrestuarve është edhe komandanti i njësisë lokale Speciale Anti-Terror (SAJ), Igor Žmirić, raportojnë mediat në Beograd.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të nëntë personave u është caktuar masa e ndalimit për një periudhë deri në 48 orë, me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore Publike në Beograd.
Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet I. Ž. (47), B. J. (48), D. V. (48), J. O. (43), V. L. (48), N. D. (50), N. F. (53), Z. V. (54), si dhe M. V. (48), i cili në kohën e ngjarjes ishte punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme serbe, ngjarja ka ndodhur më 14 dhe 15 gusht 2025, në orarin 22:30 deri në 01:00, në garazhin e godinës së Qeverisë së Serbisë, në rrugën Nemanjina.
Të dyshuarit, në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në njësinë përgjegjëse për sigurinë e personave dhe objekteve të caktuara, dyshohet se kanë vepruar si bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale.
Sipas autoriteteve, ata kanë përdorur forcën dhe kërcënimet për t’u shkaktuar dhimbje të mëdha dhe vuajtje të rënda një numri të konsiderueshëm personash, me qëllim marrjen e informacioneve prej tyre, frikësimin dhe ndëshkimin e paligjshëm.
Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se të dyshuarit do të dërgohen pranë prokurorisë kompetente brenda afatit ligjor.
Sipas mediave, ngjarja ka ndodhur gjatë protestave studentore, ku protestuesit kanë rrëfyer më pas se janë përballur me kërcënime, shqelma, pështymë, fyerje, thyerje telefonash në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Serbisë, ku u sollën pas protestës më 14 gusht.