Tragjedia në Maliq-Flasin komshinjtë: Familja me kushte të vështira ekonomike, fëmijët në spektrin autik

Pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku humbën jetën nënë e bir si pasojë e asfiksisë nga zjarri në banesën e tyre, kanë nisur të dalin detaje të reja rreth situatës së familjes.
Një nga komshijet, Benereta Pashollari, ka rrëfyer për mediat se familja përballej me kushte të vështira ekonomike, ndërsa të dy fëmijët e çiftit ishin në spektrin autik.
“Ishte familje punëtore, me ekonomi të dobët. Babai punonte, ndërsa nëna kujdesej për dy fëmijët. Bashkia i ndihmonte çdo muaj, merrnin edhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Djali ishte më i madh, vajza më e vogël. Djali ecte, vajza nuk lëvizte shumë. Nëna mundohej me aq sa kishte. Ne të lagjes e ndihmonim, i çonim gjithçka që mundnim. Nuk binte në qafë askujt,” tha ajo.
Pashollari tregoi se fatkeqësisht zjarri ka nisur në dhomën ku ndodheshin fëmijët, të cilët ndoshta pa dashje mund të kenë përfshirë një krevat sfungjeri në flakë, çka prodhoi shumë tym, duke sjellë pasojat tragjike.
“Unë për momentin nuk isha por aty, po ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerin dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur’, tha ajo” u shpreh ajo.
Një tjetër komshi i familjes Azisllari, ka folur për ngjarjen e rëndë, ndërsa theksoi faktin që familja përballej me kushte të vështira ekonomike.
“Fëmijët me autizëm, nëna ishte mirë. Nëna nuk punonte, vetëm i ati punonte në familje. Ishin në kushte të vështira ekonomike. Nuk di se si ka ndodhur ngjarja. Tani më thanë një familjar. Erdha të pyes se sa pashë zjarrfikësen”, u shpreh ai.
Aktualisht, 6-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë në spital, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për shkaqet e plota të ngjarjes.
/rtsh.al/