E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në Ranën e Hedhun, Sula: Deti ishte shumë i trazuar, pushuesit duhet të ndjekin sinjalistikën

Ngjarja tragjike e ndodhur pasditen e së mërkurës (3 qershor) në zonën bregdetare të Shëngjinit, ku dy të rinj humbën jetën si pasojë e mbytjes në det, ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e respektimit të rregullave të sigurisë në plazhe, veçanërisht në ditët kur kushtet atmosferike dhe detare paraqesin rrezik të shtuar.

Vrojtuesi i plazhit, Festim Sula, në një lidhje Skype me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ka theksuar se deti kishte qenë jashtëzakonisht i trazuar dhe se rreziku ishte paralajmëruar më herët.Ai theksoi se çdo person që frekuenton plazhet duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë sinjalistikës së sigurisë, e cila vendoset në mënyrë të dukshme në çdo plazh të monitoruar.

“Duke qenë se deti dje ka qenë shumë i trazuar dhe kjo ka qenë goxha e paralajmëruar, mendoj se nuk duhet të ishin futur në det. Megjithatë, ne nuk mund t’i ndalojmë qytetarët me forcë që të futen në ujë, pasi kjo është diçka që nuk e kemi në dorë. Ne mund të paralajmërojmë dhe të informojmë, por vendimi final mbetet te vetë pushuesit. Sugjerimi im për këdo që shkon në det është të ndjekë dhe të respektojë sinjalistikën e vendosur në plazh, veçanërisht flamujt e vrojtimit. Ata janë treguesi kryesor i nivelit të rrezikut në det dhe nuk duhet të neglizhohen në asnjë rast”, tha ai.

Sipas Sulës, një nga elementët më të rëndësishëm për sigurinë e pushuesve është zgjedhja e plazheve ku operojnë vrojtues të licencuar. Më tej, duke shpjeguar mënyrën e funksionimit të vrojtuesve të plazhit, Sula tha se secili prej tyre mbulon një zonë të përcaktuar dhe monitoron vazhdimisht situatën në bregdet.

“Ne gjithmonë apelojmë që pushuesit të zgjedhin plazhe ku operon një vrojtues plazhi, sepse ato konsiderohen plazhe më të sigurta. Një vrojtues njeh mirë sinjalistikën, kushtet e detit, rrymat, rreziqet dhe mund të ndërhyjë menjëherë në rast emergjence. Prania e tij i bën pushuesit më të qetë dhe më të sigurt. Një vrojtues plazhi ka një pozicion të caktuar pune dhe mbulon një vijë lineare jo më shumë se 80 metra. Ai pozicionohet zakonisht në qendër të zonës së monitorimit dhe kontrollon të dyja anët e plazhit. Përtej ndërhyrjes në raste emergjente, roli kryesor është ai i paralajmërimit dhe parandalimit të rrezikut”, shpjegoi ai.

Sula ngriti dyshime se tragjedia mund të ishte shmangur nëse në zonën ku ndodhi ngjarja do të kishte pasur monitorim të vazhdueshëm nga vrojtues plazhi.

“Nëse dje do të kishte pasur një vrojtues plazhi në atë zonë, pushuesit do të ishin paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun. Mendoj se ajo tragjedi që ndodhi mund të ishte shmangur, sepse njerëzit do të ishin informuar në kohë për kushtet e vështira të detit”, u shpreh ai.

Më tej, vrojtuesi sqaroi se procedurat e sigurisë janë të qarta në rastet kur deti paraqet rrezik për jetën e pushuesve. Sipas Sulës, në rastet kur pushuesit refuzojnë të largohen nga deti, vrojtuesit kërkojnë ndihmën e Policisë Kufitare.

“Detyrat e vrojtuesit të plazhit janë shumë të qarta. Në momentin që deti është i trazuar vendoset flamuri i kuq, i cili sinjalizon se notimi nuk lejohet. Përveç kësaj, vrojtuesi del në breg dhe paralajmëron vazhdimisht qytetarët përmes bilbilit dhe megafonit, duke i informuar se deti është i rrezikshëm dhe hyrja në ujë nuk rekomandohet. Më pas kontaktohen oficerët e Policisë Kufitare, të cilët ndërhyjnë për të larguar qytetarët nga uji. Ne nuk kemi autoritet ligjor për t’ua ndaluar me forcë futjen në det, por kemi detyrimin t’i paralajmërojmë dhe të bëjmë gjithçka për të parandaluar rrezikun”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›