E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në minierën e Katjelit, nisin hetimet për administratorin dhe drejtuesit teknik (EMRAT)

Një ditë pas tragjedisë në fshatin Katjel të Prrenjasit, ku minatori Sajmir Bego, 57 vjeç, i cili ishte edhe kryetar i sindikatës së minatorëve në zonë, humbi jetën, autoritetet kanë nisur hetimet për administratorin e minierës, drejtuesin teknik dhe përgjegjësin e turnit.

Policia e Librazhdit njofton se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Librazhd kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Në hetim janë përfshirë administratorin e minierës, Gëzim Balla, 56 vjeç, drejtuesin teknik Hysni Kllogjri, 62 vjeç, dhe përgjegjësi i turnit, Gëzim Kllogjri, 62 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Librazhd/Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur, në fshatin Katjel, ku gjatë punës në minierën e kromit ka rrëshqitur një masiv minerali, dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi S. B., 57 vjeç, grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë ka vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për administratorin e minierës, shtetasin G. B., 56 vjeç, drejtuesin teknik shtetasin H. K., 62 vjeç dhe përgjegjësin e turnit shtetasin G. K., 62 vjeç.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›