Tre nga Kosova, një nga Franca, arrestohen shpërndarësit e drogës në Shëngjin

Policia e Lezhës ka arrestuar tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi akuzohen se shpërndanin doza të lëndëve narkotike në zonat e frekuentuara nga pushuesit në Shëngjin.
Në kuadër të operacionit “Kamuflimi” u arrestuan në flagrancë shtetasit nga Kosova Altin Gashi, 21 vjeç dhe Ermal Tahiri, 28 vjeç, si dhe shtetasi francez, Salim Bouyaiche 43 vjeç.
Në kërkim u shpall një shtetas nga Kosova i identifikuar si Ardian Gashi, 30 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike në zonat turistike të Shëngjinit.
Gjatë kontrollit fizik, 3 shtetasve të arrestuar iu gjetën doza të lëndëve narkotike.

Nga këqyrja e celularëve të sekuestruar, u gjetën komunikime të këtyre shtetasve për organizimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Në përfundim u sekuestruan doza kokaine dhe kanabisi, kanabis në trajtë çokollate, MDMA, ekstazi, kërpudha haluçinogjene, 1 automjet dhe 3 celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari kriminale./vizionplus.tv