Trump flet nga G7: Marrëveshja me Iranin tejkaloi pritshmëritë

Nga samiti i G7, Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi marrëveshjen e arritur me Iranin si një sukses historik, duke thënë se ajo ka arritur më shumë sesa ishte kërkuar fillimisht.
Trump deklaroi se pa këtë marrëveshje, SHBA do të kishte vazhduar bombardimet ndaj Iranit për javë apo edhe vite, duke nënvizuar se diplomacia ka shmangur një përshkallëzim të rrezikshëm ushtarak.
“Samiti i G7 nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë. Marrëveshja me Iranin arriti gjithçka që kishim vendosur të bënim, gjithçka dhe shumë më tepër. Marrëveshja i jep fund konfliktit aktual, rihap ngushticën e Hormuzit dhe parandalon Iranin të ketë ndonjëherë një armë bërthamore. Kjo ishte e gjitha”, tha ai.
Ai e paraqiti këtë rezultat si një fitore të madhe për stabilitetin global, duke theksuar se marrëveshja hap rrugën për një klimë më të qëndrueshme në rajon dhe për një rol më të fortë të G7 në garantimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
/rtsh.al/