E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Trump pranon humbjen, por jo përgjegjësinë/ Presidenti amerikan: Gati për bashkëpunim me demokratët

Humbja e republikanëve në disa prej garave kryesore të elektoratit dhe marrja në kontroll total e Kongresit nga Demokratët ka shkaktuar përplasje mes zv.presidentit amerikan JD Vance dhe vetë presidentit Donald Trump.

Deklaratat e zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, kanë nxjerrë në pah dallimet mes tij dhe presidentit Donald Trump lidhur me luftën me Iranin.

Vance ka vënë në qendër të përgjegjësisë për humbjen elektorale konfliktin me Iranin, duke kundërshtuar në thelb linjën e ndjekur nga administrata Trump për këtë çështje. Sipas tij, vazhdimi i luftës dhe pakënaqësia e qytetarëve ndaj saj kanë bërë që një pjesë e votuesve që mbështetën Trumpin në vitin 2024, të kalojnë në krahun e demokratëve në zgjedhjet e vitit 2026.

“Arsyeja pse humbëm është lufta. Edhe vetë presidenti e pranoi këtë mbrëmjen e kaluar. Nëse dëshironi të argumentoni se kjo luftë ia vlente, se ia vlente të paguhej ky çmim, edhe nëse republikanët humbën kontrollin e Senatit për gjashtë vitet e ardhshme, atëherë bëjeni këtë. Argumentoni se ishte një kosto e pranueshme. Pavarësisht nëse jeni dakord apo jo, të paktën ky do të ishte një qëndrim i sinqertë. Por të gjithë e dinë arsyen e humbjes.”

Përplasja bëhet edhe më e dukshme për shkak se Vance kishte shprehur më herët rezerva për përfshirjen ushtarake amerikane në konflikt, duke paralajmëruar rrezikun që SHBA-ja të përfshihej në një luftë të vështirë për t’u përfunduar. Ndërkohë, Trump ka vijuar të mbrojë vendimin për ndërhyrjen ushtarake, duke deklaruar se do të vepronte sërish në të njëjtën mënyrë po të gjendej përballë të njëjtës situatë.

Në deklaratën e tij, Vance theksoi se problemi nuk ishte pjesëmarrja e ulët e republikanëve në votime, por fakti se shumë prej mbështetësve të Trumpit kishin ndryshuar qëndrim dhe kishin votuar për demokratët. Ai përmendi si faktorë kryesorë kundërshtimin ndaj luftës, rritjen e kostos së jetesës, inflacionin dhe pakënaqësinë ndaj marrëdhënieve të Uashingtonit me Izraelin.

Ndërsa më herët, presidenti Donald Trump bëri disa reagime sa I takon rezultatit të zgjedhjeve të mesmandatit.

Në reagimet e tij të para, Trump vlerësoi punën e demokratëve gjatë fushatës dhe shprehu gatishmëri për të bashkëpunuar me kundlërshtarët politik.

Megjithatë, përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump shprehu edhe zhgënjimin për rezultatin zgjedhor, duke pretenduar se republikanët do të kishin fituar me një diferencë të madhe nëse ai vetë do të ishte në fletëvotim.

Edhe vetë Presidenti amerikan pranoi se konflikti me Iranin dhe rritja e çmimeve të karburantit kanë ndikuar negativisht në mbështetjen për republikanët.

Në të njëjtën kohë, Trump paralajmëroi përdorimin e vetos për të bllokuar nismat e demokratëve në Kongres. Për këtë, ai publikoi edhe një fotografi të një kapeleje të kuqe me mbishkrimin “VETO”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›