Trump shqyrton rifillimin e bombardimeve ndaj Iranit, në tryezë edhe mundësia e një...

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të bombardimeve ndaj Iranit, ndërsa administrata e tij po përpiqet të krijojë kushtet për një marrëveshje diplomatike me Teheranin.
Sipas Fox News, Trump zhvilloi dy takime të njëpasnjëshme me ekipin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, të mërkurën dhe të enjten, për të vlerësuar opsionet që ka në dispozicion. Në tryezë janë rifillimi i operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë, vazhdimi i presionit ekonomik dhe ushtarak përmes bllokadës detare, si dhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje që do të shmangte një tjetër përshkallëzim të konfliktit.
Sipas raportimit, zyrtarët amerikanë e kanë informuar Trumpin se e hëna, 9 nëntor, përkon me Hënën e re në Lindjen e Mesme. Kjo do të thotë se gjatë natës do të ketë pak ose aspak ndriçim hënor, kushte që konsiderohen të favorshme për operacionet ajrore, pasi errësira mund të ofrojë më shumë mbulim për forcat ushtarake.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka hartuar tashmë plane për sulme ushtarake, të cilat mund të ishin vënë në zbatim që një ditë pas zgjedhjeve. Ndërkohë, mijëra efektivë ushtarakë amerikanë ndodhen ende në ujërat përreth Iranit, në kuadër të operacioneve për zbatimin e bllokadës detare.
Vetë Trump e ka lënë të hapur mundësinë e rifillimit të bombardimeve, gjatë një bisede me gazetarët në Zyrën Ovale. Ai tha se Uashingtoni do të merrte një vendim, duke ngritur pikëpyetje nëse SHBA-të duhet të shkojnë më tej për të garantuar që programi bërthamor iranian të mos rindërtohet.
“A duam të shkojmë më tej?”, pyeti presidenti amerikan, duke iu referuar mundësisë së sulmeve të tjera ushtarake kundër kapaciteteve bërthamore të Teheranit.
“Do të preferoja të mos shkatërroja pjesën tjetër të vendit, nëse është e mundur, por mund të më duhet”, deklaroi Trump, duke shtuar se vendimi do të bëhej i ditur shumë shpejt.
Propozimi i Iranit dhe kushtet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
Ndërsa Uashingtoni shqyrton mundësinë e operacioneve të reja ushtarake, Irani i ka dërguar Shtëpisë së Bardhë një propozim të ri për programin e tij bërthamor, duke përdorur Katarin si ndërmjetës.
Ky zhvillim hap një tjetër kanal diplomatik, ndërsa Trump duhet të vendosë mes vazhdimit të presionit ushtarak dhe ekonomik dhe përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin.
Megjithatë, pala iraniane duket e vendosur të këmbëngulë në kushtet e saj. Shefi i sigurisë së Iranit, Mohsen Rezaei, deklaroi të enjten, gjatë një vizite në Rusi, se Teherani nuk do të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do të ulet në tryezën e negociatave nëse SHBA-të nuk përmbushin shtatë kërkesat e tij.
Mes tyre janë heqja e sanksioneve amerikane, lirimi i aseteve të ngrira iraniane dhe pagesa e dëmshpërblimeve të luftës.
“Për sa kohë që amerikanët nuk i zbatojnë shtatë kushtet tona, ne nuk do ta hapim Ngushticën e Hormuzit dhe as nuk do të vazhdojmë me negociatat”, ishte mesazhi i përcjellë nga pala iraniane.
Trump kishte hedhur poshtë një version të mëparshëm të planit me shtatë pika në shtator. Në atë kohë, ai publikoi edhe një hartë ku Ngushtica e Hormuzit shfaqej me emrin “Ngushtica e Trump”. Tashmë, Teherani pretendon se zbatimi i kushteve është thjeshtuar dhe mund të përfundojë brenda dy ditësh.
Përplasje qëndrimesh brenda administratës amerikane
Qasjet e ndryshme për mënyrën se si duhet trajtuar Irani janë reflektuar edhe brenda administratës amerikane.
Zëvendëspresidenti J.D. Vance duket se po udhëheq grupin e këshilltarëve që i rekomandojnë Trumpit të ecë përpara me një marrëveshje me Teheranin, duke shmangur një tjetër përshkallëzim ushtarak.
Në krahun tjetër, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, dhe Sekretari i Thesarit, Scott Besant, mbështesin vazhdimin e bllokadës detare, me argumentin se presioni i pandërprerë mund ta detyrojë Iranin të bëjë lëshime.
Irani merr masa parandaluese pranë objekteve bërthamore
Shqetësimet për sulme të reja të mundshme amerikane kanë nxitur autoritetet iraniane të marrin masa parandaluese për mbrojtjen e popullsisë.
Sipas një raporti të publikuar nga The Times, Teherani po shpërndan tableta jodi për familjet që jetojnë në një rreze prej rreth 3.2 kilometrash nga objektet bërthamore. Banorëve po u jepen gjithashtu udhëzime se si të reagojnë dhe të mbrohen në rast të një shpërthimi.
Autoritetet iraniane druhen se një sulm i ardhshëm amerikan mund të shënjestrojë të ashtuquajturin “Mali i Kazmës”, një kompleks bërthamor pranë Natanzit, i vendosur deri në 100 metra nën një shtresë graniti të fortë.
Sipas raportit, struktura e përforcuar nëntokësore e këtij objekti e bën atë një prej objektivave të mundshëm me interes për planifikuesit ushtarakë amerikanë.
Iraku paralajmëron kundër përdorimit të territorit të tij për sulme
Në këtë klimë tensioni, kryeministri irakian Ali Faleh al-Zaidi zhvilloi një bisedë telefonike me Donald Trump të enjten, gjatë së cilës paralajmëroi se Iraku nuk mund të përdoret si bazë për sulme kundër vendeve fqinje.
Sipas një deklarate të zyrës së tij të publikuar në platformën X, kryeministri irakian theksoi qëndrimin e Bagdadit në mbështetje të respektimit të sovranitetit të shteteve.
Ai nënvizoi se Iraku nuk duhet të shërbejë si “bazë për veprime agresive kundër vendeve fqinje”, duke shprehur shqetësimin për pasojat që mund të ketë në rajon një operacion i ri ushtarak amerikan.