Demokratët përgatiten të frenojnë AI, çfarë pritet të ndryshojë në Kongresin amerikan?

Demokratët në SHBA po përgatiten të ndërmarrin një sërë nismash ligjore për të vendosur rregulla më të forta mbi inteligjencën artificiale dhe zhvillimin e qendrave të të dhënave, pasi të marrin kontrollin e Kongresit amerikan në janar.
Sipas ligjvënësve, këshilltarëve të Kongresit dhe përfaqësuesve të organizatave që mbështesin këto nisma, synimi është të rritet mbrojtja e konsumatorëve dhe të kontrollohen më mirë rreziqet që sjell përdorimi i teknologjisë së re.
Planet shënojnë një ndryshim të fortë nga politika e ndjekur deri tani nga Kongresi i drejtuar nga republikanët, të cilët janë përqendruar kryesisht në nxitjen e zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe nuk kanë miratuar ligje për të kufizuar përdorimin e saj. Ndërkohë, shqetësimet e qytetarëve për zgjerimin e shpejtë të qendrave të të dhënave janë rritur, veçanërisht për shkak të konsumit të lartë të energjisë dhe ndikimit që kjo mund të ketë në faturat e energjisë elektrike.
Demokratët synojnë të propozojnë ligje që kompanitë të mos ua kalojnë konsumatorëve kostot shtesë të energjisë që lidhen me funksionimin e qendrave të të dhënave. Gjithashtu, ata kërkojnë që sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale t’i nënshtrohen testimeve të pavarura dhe të përcaktohet qartë përgjegjësia ligjore e kompanive në rastet kur produktet e tyre shkaktojnë dëme.
Megjithatë, miratimi i këtyre nismave pritet të jetë i vështirë për sa kohë Donald Trump do të jetë president. Ai ka kundërshtuar vazhdimisht vendosjen e rregullave detyruese për inteligjencën artificiale. Të premten, Trump deklaroi se do të bashkëpunojë me shtetet amerikane që duan të pasurohen përmes zhvillimit të kësaj teknologjie, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Pavarësisht kundërshtimit të mundshëm nga Shtëpia e Bardhë, demokratët thonë se kontrolli i komisioneve të Kongresit do t’u japë mundësinë të çojnë përpara propozimet e tyre, të thërrasin drejtuesit e kompanive teknologjike në seanca dëgjimore dhe të kërkojnë llogari për mënyrën se si zhvillohen e përdoren sistemet e inteligjencës artificiale. Kongresmeni demokrat nga Teksasi, Greg Casar, ka kërkuar që drejtuesit e kompanive të teknologjisë të dëshmojnë nën betim për këtë çështje.
Senatori Chuck Schumer, i cili pritet të marrë drejtimin e shumicës demokrate në Senat, tha të enjten se mbrojtja e konsumatorëve nga rritja e kostove të energjisë, si pasojë e zgjerimit të qendrave të të dhënave, do të jetë një nga prioritetet e partisë vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, kongresmenia Lori Trahan nga Masaçusets planifikon të propozojë ligje që do të kërkojnë vlerësimin e modeleve kryesore të inteligjencës artificiale nga ekspertë të pavarur, për të verifikuar nëse ato përmbushin standardet e sigurisë. Ajo synon gjithashtu të qartësojë përgjegjësinë e kompanive kur sistemet e tyre shkaktojnë pasoja të dëmshme.
Edhe kongresmenia Zoe Lofgren, e cila synon të drejtojë Komisionin e Shkencës në Dhomën e Përfaqësuesve, deklaroi se demokratët do të përqendrohen te hartimi i rregullave të përgjegjshme për inteligjencën artificiale, pa penguar zhvillimin dhe inovacionin. Ndërsa Abdul El-Sayed, demokrat nga Miçigani i zgjedhur në Senat të martën, ka propozuar krijimin e një agjencie të pavarur që do të mbikëqyrë zhvillimin e teknologjisë dhe do të ketë kompetenca për të kontrolluar kompanitë.
Sipas një sondazhi të Reuters të publikuar në tetor, shumica e votuesve amerikanë mendojnë se administrata Trump dhe Kongresi nuk po i marrin mjaftueshëm seriozisht rreziqet e inteligjencës artificiale. Ata mbështesin gjithashtu miratimin e rregullave të reja për këtë teknologji.
Analistët vlerësojnë se një krizë e shkaktuar nga inteligjenca artificiale mund të rrisë presionin publik dhe të krijojë mbështetjen e nevojshme për miratimin e ligjeve, pavarësisht kundërshtimit të presidentit. Sipas Ed Mills, përgjegjës për kërkimet mbi politikat në kompaninë Raymond James, mundësia e miratimit të legjislacionit është më e madhe nga sa mendohet.
Demokratët planifikojnë gjithashtu të shtojnë kontrollin ndaj kompanive më të mëdha të sektorit, mes tyre OpenAI, Anthropic, Meta, Google dhe SpaceX. Në tetor, Lofgren dhe drejtues të tjerë demokratë të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve u kërkuan këtyre kompanive të japin informacion mbi masat e sigurisë që zbatojnë dhe të raportojnë rastet kur sistemet e tyre të inteligjencës artificiale kanë ndërmarrë veprime të paparashikuara nga krijuesit e tyre.
Ndërkohë, shqetësimet për rregullimin e kësaj teknologjie kanë ndikuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e kompanive të teknologjisë pësuan rënie të fortë të enjten, mes frikës se Kongresi i ri mund të ngadalësojë zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe zgjerimin e qendrave të të dhënave.
Investitorët shfaqën gjithashtu dyshime nëse investimet e mëdha për ndërtimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale do të sjellin fitimet e pritshme. Rënia vijoi të premten në tregjet e Evropës dhe Azisë.