Turizëm me kamper, një mundësi ideale – Vlora, jo vetëm natyrë e bukur, por dhe çmime të favorshme

Më së shumti turistë nga Italia, por dhe nga shumë vende të tjera evropiane, si Holanda, Gjermania, Belgjika apo edhe Sllovenia, kanë zgjedhur Vlorën si vendqëndrimin e tyre për pushimet e verës. Impresionet janë ndër më të mirat, duke nisur nga mikpritja, ushqimi, natyra, deti dhe çmimet e volitshme që kanë gjetur:
“Është hera e parë dhe po e shijojmë shumë. Njerëzit janë të mirë dhe ka vende të mira për kamping. Nuk jemi shumë të sigurt se sa do qëndrojmë, ndoshta një ose dy javë, sepse po lëvizim nga vendi në vend. Kemi vizituar qytetin dhe plazhet, shumë bukur”, u shpreh një turist nga Holanda.
“Është hera e tretë që vijmë këtu. Na pëlqen deti, çmimet dhe njerëzit janë shumë të sjellshëm. Kjo është dita jonë e dytë dhe do të rrimë rreth një javë”, tha një turiste nga Sllovenia.
“Kjo është dita jonë e dytë këtu. Do të qëndrojmë këtu për 15 ditë. Do të bëjmë një tur në të gjithë Shqipërinë. E zgjodhëm këtë vend sepse është shumë afër. Kemi dëgjuar më parë që ka shumë turizëm këtu dhe kjo na e shtoi kureshtjen.”, tha një turist nga Italia.
“Shumë miq na e rekomanduan Shqipërinë si destinacion turistik dhe dua të shoh nga afër edhe plazhet. Dita këtu kalon shpejt duke shëtitur dhe pastaj në kamping. Ju jeni një popull mikpritës”, u shpreh një turiste italiane.
Pas qëndrimit në Vlorë, turistët vijojnë eksplorimin në të gjithë vijën bregdetare të jugut. Dhe çfarë kanë gjetur është vlerësuar maksimalisht, duke menduar rikthimin.
/RTSH/