Turizmi, burim kryesor i ekonomisë në Gjirokastër, ekspertët: Çmimet e larta ndikojnë në uljen e të ardhurave lokale

Edhe gjatë vitit 2025, turizmi ishte një nga degët kryesore të ekonomisë shqiptare. Ai ka dhënë një ndikim të rëndësishëm jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në qarqe të veçanta të vendit. Një ndër zonat ku turizmi ka pasur peshë të madhe ekonomike është qarku i Gjirokastrës.
Megjithatë, sipas ekspertëve të ekonomisë, rritja e lartë e çmimeve në biznese ka ndikuar negativisht në sektorin e turizmit. Kjo situatë ka sjellë një ulje të të ardhurave nga turizmi, duke reflektuar drejtpërdrejt edhe në ekonominë lokale.
“Në Gjirokastër çmimet janë të larta dhe kjo ka bërë që zvogëlimi i të ardhurave nga turizmi të ndikojë në përgjithësi edhe në të ardhurat e ekonomisë së qytetit të Gjirokastrës”, tha Prof. Dr. As. Antoneta Polo, pedagoge e Ekonomikut.
Ekspertët theksojnë se zhvillimi i një turizmi gjithëvjetor do të ishte zgjidhje për rritjen e qëndrueshme të të ardhurave në qark. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi një pjesë e madhe e banorëve të zonës merren drejtpërdrejt ose tërthorazi me turizmin, duke e bërë këtë sektor kyç për ekonominë lokale.
“Nëse ne arrijmë një turizëm gjithëvjetor, kjo përkthehet automatikisht në rritjen e të ardhurave për qytetin, për qarkun dhe për rajonin në përgjithësi”, tha ajo.
Për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm, autoritetet dhe bizneset lokale po punojnë për të mbështetur turizmin gjatë gjithë vitit, duke rritur të ardhurat për komunitetin dhe duke forcuar pozicionin e Gjirokastrës si një destinacion i njohur turistik.
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/