E Hënë, 2 Nëntor 2026

Turizmi “i uritur” për punëtorë, Çerenishti: Mungojnë profesionistët, mungesat do t’i plotësojmë me punëtorë nga jashtë

Fatos Çerenishti, përfaqësues i shoqatës së operatorëve turistikë në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Roland Zili ka folur për përgatitjet dhe nevojat në prag të sezonit veror.

Zoti Çerenishti tha se sezoni i këtij viti pritet të jetë më i mbarë se ai i vitit të kaluar.

Ndërsa sa i përket fuqisë punëtore, Çerenishti tha se është një problem, por do të përpiqen që të plotësojnë mungesat edhe me punëtorë nga jashtë.

Intervista e plotë:

-Në ditën e 1 majit, tregu i punës shfaq nevojën e madhe për punëtorë. Si do të jetë ky sezon për plotësimin e vendeve bosh që kanë operatorët në sektorin e shërbimeve? Më mirë apo më keq?

Çerenishti: Lidhur me përgatitjet, 1 maji është si dita e fillimit të sezonit turistik. Sturkturat hoteliere në bregdet janë një biznes sezonal. Ka qenë periudhë e fjetur deri në maj. Nga maji deri në shtator është periudha që ne e quajmë piku i sezonit. Duket se do të jetë një sezon i mbarë, më i mirë se vitet e tjera. Kjo duket edhe nga numri i personave që kanë kaluar pikat kufitare por edhe nga numri i kërkesave.

-Duket se nuk vuajmë per turistë, po ju si biznesmenë vuani për punëtorë? Këtë vit si jeni me tregun e punës?

Çerenishti: Lidhur me tregun e punës…në fillimet e para të këtij biznesi mendonim se ishim keq, por e shohim se çdo vit bëhet më keq. Ne e kemi shumë të vështirë që t’i mbajmë punëtorët gjatë gjithë vitit pasi është një biznes sezonal. Në strategjinë e turizmit 2030, është parashikuar që punonjësit mos t’i mbajmë vetëm gjatë sezonit por gjatë gjithë vitit. Kjo është e vetmja mënyrë për të rritur shërbimet dhe standardet në hotelet tona. E ndiejmë jashtë mase mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Ndihet edhe mungesa e numrit të punonjësve. Ne e ndiejmë më shumë se sektorët e tjerë të ekonomisë mungesën e fuqisë punëtore. Por do t’ia dalim edhe duke marrë punonjës nga jashtë. Nuk do na pëlqente fare kjo gjë, unë do isha shumë i lumtur që punonjësit të ishin të gjithë shqiptarë por është e pamundur pasi mungojnë profesionistët. Edhe nëse i arrijmë numrat që na duhen, mungesa e profesionistëve na bën të marrim punëtorë nga vendet e huaja.

-Shpesh janë raportuar edhe probleme për sa i përket procedurave që bëjnë autoritetet duke e bërë të vështirë ardhjen e këtyre punëtorëve? Ju e keni ndjerë këtë problem?

Çerenishti: Vitin që kaloi doli një VKM që lehtësonte procedurën e marrjes së punonjësve të huaj, mendoj që këtë vit do jetë edhe më mirë sepse janë përzgjedhur edhe kompanitë e punësimit sepse është një proces delikat rekrutimi i punonjësve. Numri unik që është për punonjësit na ka lehtësuar shumë procedurat. Mendoj që kjo do të vazhdojë dhe në vitet e kaluara do të jetë më mirë për sa i përket lehtësimit të procedurave për marrjen e shtetasve të huaj që do të punësohen pranë strukturave tona./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›