E Diel, 1 Nëntor 2026

I maskuar, del foto e autorit të dyshuar të vrasjes së Renato Hoxhaj, policia në ndjekje

Kanë dalë pamjet e autorit të dyshuar të ekzekutimit të 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, i cili u vra mëngjesin e 27 prillit në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. I dyshuari shfaqet në kamerat e sigurisë me maskë të zezë në fytyrë, kapele dhe dorashka, teksa largohet nga vendi i krimit. Identifikimi i tij është në proces, ndërsa policia po analizon pamjet për të zbardhur identitetin dhe itinerarin e ndjekur pas ngjarjes.

Ndërkohë, bashkëjetuesja e viktimës ka deklaruar se nuk ishte në dijeni për ndonjë konflikt që ai mund të kishte pasur. Ajo ka dëgjuar të shtënat por ka menduar se ishin fishekzjarrë.

Një ndër pistat kryesore ku është përqendruar hetimi lidhet me pronësinë. Sipas burimeve pranë familjes së Hoxhajt, së fundmi ai kishte marrë kërcënime për të dhënë tokën e tij për ndërtim, por kishte refuzuar. Zona ku ndodhej banesa e viktimës është e lakmuar për zhvillime të reja urbane, dhe vetëm pak metra larg saj është ndërtuar një pallat ku çmimi i apartamenteve shkon deri në 1500 euro për metër katror.

Policia ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me ndërtimet pranë vendbanimit të viktimës, përfshirë dhe pronarin e pallatit më të afërt. Hetimet vazhdojnë, ndërsa autori mbetet ende i lirë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›