Goditet një tjetër hallkë e trafikut të drogës drejt Greqisë, katër të ndjekur penalisht, përfshirë një zyrtar

Policia e Korçës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka finalizuar fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Shufrat”, për goditjen e një rrjeti kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.
Si rezultat i hetimeve 6-mujore të kryera me metoda proaktive, u dokumentua përfshirja e katër shtetasve të tjerë në këtë veprimtari kriminale. U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për dy prej tyre, konkretisht për shtetasit E. M., 38 vjeç, nga Tirana dhe I. O., 62 vjeç, nga Durrësi, ky i fundit aktualisht i arrestuar në Malin e Zi për të njëjtën vepër penale.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dy shtetas të tjerë: F. K., 39 vjeç, dhe E. O., 24 vjeç, për të cilët Gjykata ka caktuar gjithashtu masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Nga hetimet rezulton se këta persona bashkëpunonin me dy të arrestuar më 18 nëntor 2024, të cilët tentuan të trafikonin 56 kilogramë kanabis sativa drejt Greqisë, të fshehura në 44 shufra metalike në tavanin e një kamioni.
Gjithashtu, u ekzekutua masa e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik”, për një punonjës të DPSHTRR, 63 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka manipuluar të dhënat e targave dhe pronësisë së mjeteve të përdorura në këtë veprimtari kriminale.
Policia ka sekuestruar një automjet të dyshuar si pjesë e rrjetit të trafikut. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.