E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi rritet me 29% në tremujorin e parë 2026, shtohet fluksi i vizitorëve në site turistike në Sarandë

Sipas statistikave të regjistruara në Bashkinë e Sarandës, turizmi gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 ka shënuar rritje me 29% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat përfshijnë si vizitat në sitet turistike të qytetit, ashtu edhe numrin e pasagjerëve të regjistruar në port.
Kjo rritje e ndjeshme e fluksit turistik pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të zonës dhe e pozicionon sezonin e ri si një nga më të suksesshmit për Bashkinë e Sarandës. Autoritetet lokale e konsiderojnë këtë trend si një tregues të qartë të rritjes së interesit për destinacionin.
“Nga statistikat e para që kemi, nga vizitueshmëria në sitin e Butrintit jemi 29% më shumë se viti i kaluar për 3 mujorin e parë të vitit 2026 krahasuar me 2025. Edhe numri i pasagjerëve nga porti i Sarandës janë gjithashtu pozitiv që do të thotë se presim një sezon të suksesshëm turistik”, u shpreh Eliana Shkurti, Drejtore Kabineti.
Ndërkohë, bashkia vijon punën për përgatitjen e plotë të sezonit turistik, duke përfunduar disa investime të rëndësishme në përmirësimin e hapësirave publike dhe infrastrukturës.
“Jemi në përfundim të të gjitha punimeve të infrastrukturës si në Sarandë dhe në Ksamil. Kemi mbaruar me pjesën e plazheve publike që janë gati të presin turistët”, tha ajo.
Këto ndërhyrje synojnë të ofrojnë kushte më të mira për turistët dhe të rrisin cilësinë e shërbimeve në qytet.
/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›