Xhixho: 10 salla operative u mbyllën njëkohësisht në Spitalin e Traumës, pa garantuar kapacitetet alternative për pacientët

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho zhvilloi sot interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, lidhur me situatën në Spitalin Universitar të Traumës dhe pezullimin e disa shërbimeve për shkak të rikonstruksionit.
Në fjalën e saj në Kuvend, Xhixho theksoi se “Spitali Universitar i Traumës është i vetmi i këtij lloji në vend, po përballet me vështirësi serioze si pasojë e mbylljes së 10 sallave operative që prej dhjetorit 2025”.
“Ky spital sot është simboli më i qartë i degradimit të sistemit shëndetësor që ju drejtoni. Vetëm në vitin 2025, në këtë spital kanë marrë shërbim mbi 62 mijë qytetarë. Flasim për mijëra qytetarë që përballen çdo ditë me aksidente, trauma, ndërhyrje urgjente dhe nevoja jetike. Por prej dhjetorit 2025, 10 salla operative janë mbyllur për shkak të një rikonstruksioni që po zgjat pa transparencë dhe pa një plan alternativ funksional për pacientët”, tha Xhixho.
Deputetja e Partisë së Lirisë tha se mijëra qytetarë ndodhen në lista pritjeje, ndërsa pacientët në urgjencë dhe ata me ndërhyrje të planifikuara po përballen me vonesa në marrjen e shërbimit.
Më tej, Xhixho i drejtoi ministres Sala disa pyetje konkrete lidhur me mbylljen e sallave operative.
“Çfarë shpjegimesh u detyroheni pacientëve dhe familjarëve të tyre për faktin se në spitalin e vetëm të Traumës në vend janë mbyllur 10 salla operative njëkohësisht pa garantuar kapacitetet alternative për pacientët në urgjencë dhe ata me planifikim?”, tha Xhixho.
Gjithashtu Xhixho kërkoi sqarime mbi arsyet pse qytetarët dhe pacientët nuk janë informuar publikisht për kufizimin apo pezullimin e disa shërbimeve në Spitalin Universitar të Traumës prej muajsh.
“A ekziston një plan kontingjence i miratuar nga MSHMS për përballimin e situatës gjatë rikonstruksionit – që mendohet se do zgjasë 2 vite – dhe pse ky plan nuk është bërë publik për qytetarët?”, tha Xhixho.
/k.s/j.p/r.e/