Turneu i Padelit, Tirana duartroket lojtaret Rea Qinami dhe Brisilda Kuqo

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Turneu i tyre sapo ka përfunduar, por në sytë e lojtareve Rea Qinami dhe Brisilda Kuqo ende ndihet emocioni i të luajturit në fushën qendrore të Sheshit Skënderbej në Tiranë, vendi ku nga sot deri më 30 maj do të zhvillohet edicioni i parë historik i FIP Platinum Albania.
Dy lojtaret u përballën për herë të parë në karrierën e tyre me një turne të këtij prestigji. “Duhet të jem e sinqertë, në fushë isha shumë e emocionuar, por jam krenare për mënyrën si luajta. Jam e sigurt që herën tjetër, kur të kemi mundësinë të luajmë një turne të këtij niveli, do të bëjmë shumë më mirë”, tha Qinami.
“Ishte një kënaqësi të luaja në këtë shesh dhe të zbrisja në fushë me lojtare që zakonisht i shihja në televizor dhe për të cilat jam fanse. Ishte një eksperiencë e re nga e cila mësova shumë”, tha Kuqo.
Rrugëtimi i tyre u mbyll në raundin e 1/16-ve të finales kundër një dysheje të fortë si ajo e përbërë nga italiania Carolina Orsi dhe spanjollja Patty Llaguno, numrat 28 dhe 22 të renditjes FIP, në dy sete (6-0 6-0).
Ky turne konfirmon edhe një herë rëndësinë e padelit në nivel ndërkombëtar.
“Për Shqipërinë është shumë e rëndësishme të presë një turne të këtij niveli, sepse kanë ardhur lojtarët dhe lojtaret më të mira në botë. Në vendin tonë kemi si lojtarë profesionistë, ashtu edhe amatorë. Për mua ishte një nder të merrja ëild card nga Federata Shqiptare e Padelit. Jam mirënjohëse ndaj të gjithë organizatorëve të eventit. Për ta zhvilluar edhe më shumë padelin në Shqipëri, është e nevojshme të kemi klube të reja ku adoleshentët dhe fëmijët të mund ta praktikojnë këtë sport”, tha Kuqo.
Vajzat shqiptare në turneun e Padelitm, Foto: Florian Abazaj
Vajzat shqiptare në turneun e Padelitm, Foto: Florian Abazaj 1 nga 10/e.i/