E Hënë, 2 Nëntor 2026

Turqi – Irani: Bisedimet bërthamore me fuqitë evropiane përfunduan pa rezultate

STAMBOLL, 25 korrik  /ATSH-DPA/  – Bisedimet për programin bërthamor midis Iranit dhe vendeve të njohura si E3, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe që u mbajtën sot në Stamboll, përfunduan pa ndonjë rezultat konkret, sipas burimeve iraniane.

“Patëm një diskutim serioz, të sinqertë dhe të detajuar”, shkroi në platformën X, Kasem Gharibabadi, zëvendësministri i Jashtëm Iranian për Çështje Ligjore dhe Ndërkombëtare.

“Sidoqoftë, u ra dakord që konsultimet të vazhdojnë,” shtoi ai.

Ky ishte takimi i parë mes zëvendësministrave të jashtëm të katër vendeve që prej sulmit të Izraelit kundër  Iranit muajin e kaluar.

Irani pret vizitë nga IAEA, por nuk lejon inspektime

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se brenda “javëve të ardhshme” është planifikuar një vizitë e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) në Teheran, për të diskutuar kuadrin e bashkëpunimit mes palëve.

“Inspektimi i objekteve bërthamore të dëmtuara gjatë luftës nuk është i planifikuar”, shtoi ai.

BE e shqetësuar, marrëveshja e Vjenës drejt skadimit

Diplomatët evropianë po përpiqen të rrisin presionin ndaj Teheranit që të angazhohet seriozisht në bisedime bërthamore.

Marrëveshja bërthamore e Vjenës e vitit 2015, e cila ka mbetur kryesisht joaktive, skadon zyrtarisht në mes të tetorit.

“Koha po mbaron,” paralajmëroi një diplomat para takimit, duke thënë se në mungesë të përparimit, vendet E3 mund të aktivizojnë mekanizmin e “snapback”, që do të rikthente automatikisht sanksionet e OKB-së ndaj Iranit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›