E Diel, 1 Nëntor 2026

Tymi toksik mbulon Elbasanin, vijon beteja me flakët në landfill, qytetarët: Jemi helmuar

Mëngjesi i kësaj të mërkure e gjeti qytetin e Elbasanit të mbuluar nga një re masive tymi të zi.

Flakët që përfshinë një ditë më parë landfillin e mbetjeve u vunë nën kontroll vetëm në orët e para të mëngjesit, por shtëllungat e tymit toksik kanë mbuluar zonën duke e bërë situatën shumë shqetësuese.

Për banorët që jetojnë pranë landfillit, sitata është bërë e padurueshme.

“Ne kemi mbyllur dritaret dhe sërish vinte erë e keqe”, thotë një banor.

“Jemi të shqetësuar, nuk kemi fjetur fare”, thotë një banor tjetër.

Landfilli i mbetjeve në Elbasan, u përfshi nga flakët pasditen e së martës. Zjarri ra rreth orës 16:30, ndërsa u intensifikua gjatë mbrëmjes, duke marrë përmasa të frikshme.

Pavarësisht angazhimit të dhjetëra zjarrfikësve, shuarja e plotë e vatrës u bë e vështirë për shkak të sasisë së madhe të mbetjeve, erës së fortë dhe temperaturave të larta.

Në terren ishin angazhuar 12 automjete zjarrfikëse, 60 forca operacionale dhe dy automjete nga Forcat e Armatosura. Ndërkohë në ndihmë të tyre mbërritën edhe grupe  nga Kamza, Tirana dhe Berati.

Kjo është hera e dytë që landfilli i Elbasanit përfshihet nga flakët këtë verë, duke shkaktuar një ndotje alarmante./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›