U kap me armë në makinë, arrestohet 28-vjeçari, në kërkim dy persona

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 28-vjeçar, i cili lëvizte me armë zjarri pistoletë.
Si rezultat i kontrolleve të befasishme të kryera në automjete të ndryshme , është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje. Në fshatin Domje, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M. dhe pasagjer një shtetas 16 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi fishekësh.
Në vijim të veprimeve u vu në pranga 28-vjeçari, shtetasi F.M, banues në Domje, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu nisi procedimi në gjendje të lirë për 16-vjeçarin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në kërkim u shpallën shtetasit R. T., 24 vjeç, banues në Domje, pronari i automjetit, dhe V. B., 24 vjeç, banues në Domje, përdoruesi aktual i automjetit, pasi dyshohet se i ka dhënë automjetin 28-vjeçarit.
Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e rastit./vizionplus.tv