U ndaluan pas konfliktit për simbolin e shqiponjës, lirohen katër nxënësit shqiptarë në Mal të Zi

Katër nxënësit shqiptarë të mitur nga Durrësi, të ndaluar më 31 tetor në Kotorr të Malit të Zi, janë liruar pa dënim pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe janë nisur drejt Shqipërisë.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi, e cila ka sqaruar se ndalimi i të miturve pasoi një konflikt verbal me një shtetase malazeze, pasi nxënësit kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.
Përmes një njoftimi zyrtar, ambasada bëri të ditur se përfaqësuesi i saj ka qëndruar pranë nxënësve që nga momenti kur është informuar për ngjarjen dhe deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe nisjen e tyre drejt Shqipërisë.
Gjatë kësaj kohe, ambasada ka ofruar asistencë konsullore dhe ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me autoritetet malazeze, familjarët dhe mësuesit.
Sipas njoftimit, gjatë procedurave është garantuar respektimi i të drejtave të të miturve, të cilëve u është siguruar avokat, përkthyes dhe psikolog.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi informon se katër nxënësit shqiptarë të mitur, të ndaluar më 31 tetor në Kotorr, janë liruar pa dënim pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe janë nisur drejt Shqipërisë.
Sipas informacionit të marrë, ndalimi pasoi një konflikt verbal me një shtetase malazeze, pasi nxënësit kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.
Që prej marrjes dijeni për ngjarjen dhe deri në përfundimin e procedurave ligjore e nisjen e nxënësve drejt Shqipërisë, përfaqësuesi i Ambasadës ka qëndruar pranë tyre, duke ofruar asistencë konsullore.
Ambasada ka mbajtur gjatë gjithë kohës komunikim të vazhdueshëm me autoritetet malazeze, familjarët dhe mësuesit.
Sipas autoriteteve malazeze, gjatë procedurave është garantuar respektimi i të drejtave të të miturve dhe u është siguruar avokat, përkthyes dhe psikolog.
Ambasada vlerëson bashkëpunimin me autoritetet malazeze dhe mbetet e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasve shqiptarë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Lajme të Sugjeruara