“U tmerruam se mos digjeshim, ikëm pa marrë asgjë”, banorët e revoltuar pas zjarrit në Shushicë: Është i qëllimshëm

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Bunavisë dhe Grabianit, në Njësinë Administrative Shushicë të Vlorës, duke vënë në rrezik të paktën tre banesa.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi në zonë, ndërsa banorët shprehen të frikësuar për banesat dhe pronat e tyre.
Dy automjete zjarrfikëse janë nisur drejt vendngjarjes për të ndërhyrë dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave.
Banorët e zonës thonë se situata është e vështirë dhe se zjarri ka përfshirë sipërfaqe me ullinj, pemë frutore dhe bimësi.
“Unë jam Xhevahir Malollari, kam ardhur nga Korça. Të gjitha po digjen. Me siguri është i qëllimshëm. Nuk ndizet pa dorën e njeriut. Unë mora masa me pusin. Era e madhe e ndihmonte. Ka 10 ditë që u dogj kjo zonë, tani u dogj prapë”, tha një banor.
Një tjetër banor tregon frikën për banesat dhe stanet në zonë: “Jemi trembur, nuk kemi ç’të bëjmë. Aty ka edhe shtëpi, janë edhe nja dy banesa. Ka edhe stane”.
Përveç dëmeve në ullinj, pemë frutore dhe bimësi, gjatë përhapjes së flakëve janë raportuar edhe shpërthime të municioneve luftarake të mbetura në terren që nga periudha e trazirave të vitit 1997.
“Kam ullinj aty, kam 250 rrënjë”, tha një tjetër banor, duke shprehur shqetësimin për dëmet e shkaktuara nga zjarri.
Forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa banorët presin shuarjen e flakëve dhe vënien nën kontroll të situatës.