E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – Hegseth: SHBA-ja më se e përgatitur të veprojë nëse Irani nuk negocion për armët bërthamore

UASHINGTON, 3 shkurt /ATSH/- Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth paralajmëroi udhëheqësit e Iranit se Pentagoni është “më se i përgatitur” të veprojë nëse Teherani refuzon të negociojë me SHBA-në për programin e tij bërthamor, sipas “The Hill”.

“Presidenti ka qenë i qartë që nga fillimi, siç ishte edhe para operacionit “Midnight Hammer”. Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Dhe kështu ata mund të negociojnë, ose ne kemi mundësi të tjera – kjo është arsyeja pse ekziston Departamenti i Luftës”, u tha Hegseth gazetarëve pas fjalimit të tij në objektin “Blue Origin” në Florida, duke iu referuar bombardimeve të Trump ndaj objekteve bërthamore të Iranit gjatë verës.

“Ai nuk dëshiron të ndjekë atë rrugë, unë nuk dua të ndjek atë rrugë, por puna jonë është të jemi të përgatitur, dhe kështu sigurisht që jemi, jemi më se të përgatitur”, tha shefi i Pentagonit.

“Presidenti Trump është i përkushtuar ndaj paqes, i përkushtuar ndaj një marrëveshjeje nëse Irani është serioz për të bërë një marrëveshje, dhe do ta shohim. Varet nga Irani”, tha ai.

Deklarata e Hegseth vjen ndërsa SHBA-ja ka vendosur një prani të konsiderueshme ushtarake pranë Iranit në javët e fundit, të përforcuar me mbërritjen e fundit të “USS Abraham Lincoln” (aeroplanmbajtësja e pestë e klasit Nimitz në Marinën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës), dhe grupit të tij të sulmit në zonën e Komandës Qendrore të SHBA-së (Centcom), së bashku me mbërritjen e avionëve luftarakë shtesë dhe aeroplanëve të ngarkesave në rajon.

Trump ka paralajmëruar vazhdimisht se mund të autorizojë sulme ndaj Iranit nëse negociatat me Teheranin dështojnë, pasi të dy palët duken shumë larg njëra-tjetrës në lidhje me programet e raketave balistike dhe të pasurimit bërthamor të Iranit.

“Ne kemi anijet më të mëdha dhe më të fuqishme në botë atje”, u tha presidenti gazetarëve të dielën. “Shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje”, shtoi ai.

Të premten, i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, do të takohet me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araqchi për të rifilluar bisedimet bërthamore në Stamboll, Turqi, ndërsa rajoni mbetet në gatishmëri të lartë.

Ky takim do të shënonte takimin e parë midis zyrtarëve iranianë dhe amerikanë që kur bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit dështuan vitin e kaluar.

I pyetur nëse ndryshimi i regjimit në Iran ishte një mundësi, Hegseth ngurroi, duke argumentuar se Pentagoni ishte gati të vepronte nëse i kërkohej.

“Kjo nuk është – tani për tani, puna jonë është të jemi të përgatitur dhe Irani ka një zgjedhje nëse dëshiron apo jo të negociojë për armët e tij bërthamore”, tha Hegseth. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›