E Hënë, 2 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA –ja, 200 trupa në Izrael për një forcë të përbashkët në mbështetje të Gazës

UASHINGTON, 10 tetor /ATSH/ – Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë deri në 200 trupa në Izrael për të krijuar një forcë të përbashkët që do të mbështesë përpjekjet për stabilizimin e Gazës, por pa dislokuar trupa amerikane brenda territorit palestinez, thane mbrëmë zyrtarë amerikanë, sipas “Reuters”.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) do të krijojë këtë njësi të re, të quajtur Qendra e Koordinimit Civil-Ushtarak (CMCC). Detyra e saj kryesore do të jetë lehtësimi i dërgimit të ndihmave humanitare dhe ndihmës për sigurinë në Gaza, sipas zyrtarëve.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha në një postim në rrjetet sociale se personeli amerikan do të monitorojë  zbatimin e marrëveshjes për Gazën nga Izraeli dhe do të punojë me forcat ndërkombëtare në terren.

Dy zyrtarë, që folën në kushte anonimiteti, thanë se trupat amerikane do të përbëjnë  bërthamën e CMCC-së, por në të do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga ushtritë e Egjiptit, Katarit, Turqisë dhe ndoshta Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Qendra do të bashkërendojë me forcat izraelite dhe ato të tjera të sigurisë për të shmangur ndonjë përplasje.

“Asnjë trupë amerikane nuk do të hyjë në Gaza”, theksoi një prej zyrtarëve.

Sipas burimeve, trupat amerikane që do të dislokohen do të kenë eksperiencë në planifikim, siguri, logjistikë dhe inxhinieri.

Ata shtuan se shpresa është që marrëveshja për Gazën, pasi të nisë zbatimi i saj, të ulë tensionet rajonale dhe të krijojë kushte për negociata të reja normalizimi midis Izraelit dhe vendeve arabe.

Gjatë mandatit të tij të parë, presidenti Donald Trump ndërmjetësoi Marrëveshjet e Abrahamit, që normalizuan marrëdhëniet mes Izraelit dhe Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Marokut dhe Sudanit.

Sipas zyrtarëve, Arabia Saudite është një tjetër kandidate për një marrëveshje të tillë, ashtu si edhe Indonezia, Mauritania, Algjeria, Siria dhe Libani.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›