UASHINGTON – Trump: SHBA-ja do të marrë kontrollin e Groenlandës, çdo gjë tjetër do të ishte e papranueshme

UASHINGTON, 14 janar /ATSH/- SHBA-ja do të marrë kontrollin e Groenlandës, dhe çdo gjë tjetër do të ishte e papranueshme, tha sot presidenti amerikan, Donald Trump, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin nevojë për territorin për qëllime të sigurisë kombëtare, gjë që nga ana tjetër mund të forcojë NATO-n, sipas CNN.
“NATO bëhet shumë më e fuqishme dhe efektive me Groenlandën në duart e SHBA-së”, shkroi sot Trump në “Truth Social”.
“Çdo gjë më pak se kaq, do të ishte e papranueshme”, shtoi ai.
“Blerja e Greonlandës mbetet thelbësore për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë”, tha Trump duke iu referuar sistemit të mbrojtjes raketore që Pentagoni po zhvillon.
Ai gjithashtu argumentoi se udhëheqësit e NATO-s duhet të bëjnë përpjekje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin Groenlandën.
“NATO duhet të na udhëheqë në rrugën për ta arritur këtë. Nëse nuk e bëjmë ne, do ta bëjë Rusia ose Kina, dhe kjo nuk do të ndodhë! Ushtarakisht, pa fuqinë e madhe të SHBA-së, pjesën më të madhe të së cilës e ndërtova gjatë mandatit tim të parë, dhe tani po e çoj në një nivel të ri dhe madje edhe më të lartë, NATO nuk do të ishte një forcë efektive ose pengesë! Ata e dinë këtë, dhe unë gjithashtu”, shkroi Trump në postim.
Deklarata e tij vjen ndërsa zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance do të presë një takim me ministrin e Jashtëm danez dhe homologen e tij të Groenlandës së bashku me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio sot në Shtëpinë e Bardhë.
Groenlanda është një territor vetëqeverisës i Danimarkës.
“Groenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi të SHBA-së. Groenlanda nuk dëshiron të qeveriset nga SHBA-ja. Groenlanda nuk do të jetë pjesë e SHBA-së. Ne zgjedhim Groenlandën që njohim sot, e cila është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, tha kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, në një konferencë për shtyp në Kopenhagë.
“Ky është problemi i tyre. Unë nuk pajtohem me të. Nuk e di kush është. Nuk di asgjë për të, por ky do të jetë një problem i madh për të”, tha Trump në një reagim. //a.i/