E Hënë, 2 Nëntor 2026

UASHINGTON – Trump konfirmon përfshirjen e SHBA-së në sulmin ndaj Iranit

UASHINGTON, 28 shkurt /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump postoi një video tetë-minutëshe në platformën e tij të rrjeteve sociale, “Truth Social” duke konfirmuar se SHBA-ja ishte e përfshirë në sulmin ndaj Iranit, sipas BBC.

Trump tha se SHBA-ja kishte nisur “operacione të mëdha luftarake” në Iran.

“Ne kërkuam me këmbëngulje të bëjmë një marrëveshje. Ne u përpoqëm. Do të shkatërrojmë raketat e tyre dhe do të shkatërrojmë industrinë e raketave të tyre në tokë. Ajo do të jetë plotësisht … e shkatërruar”, shtoi Trump.

Presidenti Trump pretendon se Irani u përpoq të rindërtonte programin e tij bërthamor dhe të vazhdonte zhvillimin e raketave me rreze të gjatë, që tani mund të kërcënojnë miqtë dhe aleatët në Evropë, trupat amerikane të stacionuara jashtë vendit dhe së shpejti, ato mund të arrinin atdheun amerikan.

“SHBA-ja po ndërmerr një operacion “masiv” për të “parandaluar këtë diktaturë të ligë dhe radikale nga kërcënimi i Amerikës”, tha Trump.

Trump tha dje se SHBA-ja nuk kishte marrë “vendime përfundimtare” për të sulmuar Iranin – por shtoi se ai nuk ishte “i kënaqur” me pozicionin e tyre negociues gjatë bisedimeve bërthamore.

Izraeli ka nisur një sulm “parandalues” ndaj Iranit, duke rindezur përplasjen mes dy vendeve për herë të dytë brenda më pak se një viti.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz deklaroi se operacioni kishte si qëllim “eliminimin e kërcënimeve ndaj Shtetit të Izraelit”, ndërsa shpalli një “gjendje të posaçme dhe të përhershme emergjence” në të gjithë vendin, në pritje të një kundërpërgjigjeje të mundshme iraniane me raketa.

Bisedime indirekte në Gjenevë midis dy vendeve u zhvilluan më herët gjatë javës, me të dyja palët që thanë se ishte bërë përparim për arritjen e një marrëveshjeje.

Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Teheranit për të pranuar një marrëveshje të re mbi programin e tij bërthamor, me Trump që ka thënë vazhdimisht se SHBA-ja ishte gatshme  dhe në gjendje të vepronte me shpejtësi dhe dhunë, nëse ishte e nevojshme.

Kur u pyet nëse tensionet mund të çonin në një konflikt të gjatë në Lindjen e Mesme, Trump i tha gazetarëve në oborrin e Shtëpisë së Bardhë se “gjithmonë ekzistonte një rrezik”.

“Kur ka luftë, ka rrezik për gjithçka – si të mirë, ashtu edhe të keqe”, tha Trump. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›