UEFA Conference League, Dinamo City luan të enjten ndeshjen e parë të play-off ndaj Jagiellonia

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Dinamo City do të luajë të enjten ndeshjen e parë të fazës play-off të UEFA Conference League.
Një rrugëtim shumë i suksesshëm deri tani për dinamovitët, të cilët janë vetëm një hap larg për të shkruar historinë, ndërsa pengesa e radhës është skuadra polake Jagiellonia. Një ekip me shumë forcë dhe eksperiencë europiane, por aspak i pakalueshëm.
Skuadra e Ilir Dajës e tregoi këtë ndaj gjigandëve kroatë të Hajduk Split, ku në “Air Albania” zhvilloi një ndeshje të madhe, fitoi 3-1 dhe siguroi kualifikimin për në fazën play-off të Conference League.
Ndeshja e parë Jagiellonia – Dinamo City do të luhet të enjten, më 21 gusht, në orën 20:15, në stadiumin “Stadion Miejski w Białymstoku”. /j.p/