UEFA Nations League, Maran gati të shpallë listën e Kombëtares për sfidat e nëntorit - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, do të shpallë nesër në ora 12:00 listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e fundit të UEFA Nations League ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.
Tekniku do të shpallë listën në konferencën për media që do të zhvillohet në Shtëpinë e Futbollit, ku do t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në lidhje me zgjedhjet e tij.
Grumbullimi i Kombëtares do të nisë të hënën zyrtarisht me kuqezinjtë që nisin përgatitjet për dy sfidat vendimtare ndaj Finlandës, që luhet më datë 12 nëntor, ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” dhe ndaj Bjellorusisë, që luhet më datë 15 nëntor stadiumin “Illovszky Rudolf” të Budapestit, Hungari.
Shqipëria aktualisht renditet në vendin e parë në Grupin C1 me 9 pikë, e ndjekur nga Bjellorusia dhe Finlanda me nga 7 pikë secila.
/gj.m/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
