E Martë, 3 Nëntor 2026

UKRAINË – Të paktën 14 të vrarë nga bombardimet ruse

KIEV, 23 qershor /ATSH-DPA/- Të paktën 14 persona u vranë në një seri sulmesh ajrore ruse në Ukrainë, thanë sot autoritetet, ndërsa bombardimet shënjestruan disa qytete, përfshirë Kievin.

Zyrtarët e Kievit thanë se nëntë persona ishin vrarë dhe 33 të tjerë ishin plagosur në një sulm gjatë natës në kryeqytetin ukrainas.

Autoritetet raportuan një person të vrarë në rajonin e Kievit dhe dy të tjerë në rajonin verior të Chernihiv, ku 10 persona të tjerë u plagosën gjatë sulmeve.

“Në Ukrainën jugore, të paktën dy persona u vranë në sulmin rus me raketa”, raportoi presidenti Volodymyr Zelensky në Telegram.

“Një raketë balistike goditi një shkollë të mesme në qytetin Bilhorod-Dnistrovskyi. Të paktën 12 persona u plagosën në qytet, në rajonin e Odesës”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas bëri thirrje për rritje të presionit ndërkombëtar mbi Rusinë përmes sanksioneve më të ashpra.

“Nëse Rusia nuk mund të detyrohet të bëjë paqe, mbrojtja e shkollave, spitaleve dhe shtëpive të zakonshme në vendet e tjera evropiane do të duhet të merret në konsideratë”, tha ai.

Ukraina i ka rezistuar pushtimit rus në shkallë të plotë – që nga shkurti i vitit 2022 me mbështetjen perëndimore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›