UKRAINË – Zelensky: Gati për zgjedhje nëse partnerët garantojnë sigurinë

ROMË, 10 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se është i gatshëm të mbajë zgjedhje brenda 60 deri në 90 ditëve, edhe pse lufta me Rusinë vazhdon, nëse Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mund të garantojnë sigurinë për zhvillimin e tyre, njoftoi agjencia Interfax-Ukraina.
”Unë personalisht kam vullnetin dhe gatishmërinë për këtë”, u tha Zelensky gazetarëve.
”Do të nevojiten ndryshime në ligjin zgjedhor të Ukrainës dhe u kam kërkuar deputetëve të grupit të tij parlamentar të përgatisin amendamentet e nevojshme”, shtoi ai.
Ligji i shtetrrethimit në Ukrainë ndalon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe lokale.
Ndërsa ligji mund të ndryshohet, kushtetuta lejon zgjedhje parlamentare vetëm pasi të hiqet shtetrrethimi.
Ndryshimet kushtetuese janë të ndaluara gjatë luftës.
Ukraina nuk ka zhvilluar asnjë zgjedhje që nga pushtimi rus në shkurt 2022.
Mandati i rregullt i Zelensky përfundoi në maj 2024 dhe ai i parlamentit në gusht 2024.
Zgjedhjet lokale do të duhej të mbaheshin në fund të tetorit 2025.
Fakti që zgjedhjet nuk mund të mbahen nën shtetrrethim nuk është i veçantë për Ukrainën, por një praktikë standarde në shumë vende.
Presidenti amerikan Donald Trump kohët e fundit ka shprehur mbështetje për mbajtjen e zgjedhjeve në vendin e goditur nga lufta.
Më herët këtë vit, ai e akuzoi presidentin Zelensky si diktator dhe mungesë legjitimiteti demokratik, gjuhë e ngjashme me atë që përdor Kremlini.
Një çështje tjetër e hapur është si të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë votuesve me të drejtë vote.
Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 5,8 milionë persona kanë ikur jashtë vendit dhe disa milionë të tjerë jetojnë në territore të pushtuara nga Rusia./ /Ad.Ab./ a.jor.