UKRAINË – Zelensky: Moska nuk tregon gatishmëri për paqe para samitit në Alaskë

KIEV, 13 gusht /ATSH – DPA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Moska nuk po tregon asnjë gatishmëri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke u bërë thirrje Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Kievit të shtojnë presionin ndaj Rusisë para samitit SHBA-Rusi që do të zhvillohet këtë javë.
“Kjo luftë duhet të marrë fund. Duhet ushtruar presion mbi Rusinë për një paqe të drejtë”, shkroi Zelensky sot në Telegram. Ai theksoi se Ukraina, Evropa dhe SHBA –ja duhet të veprojnë së bashku për ta detyruar Moskën të negociojë.
Zelensky pritej të merrte pjesë në Berlin në bisedime me video të organizuara nga kancelari gjerman Friedrich Merz. Pjesëmarrës janë liderë evropianë dhe presidenti amerikan Donald Trump.
Qëllimi, sipas zyrtarëve në Berlin, është të bëhet e qartë se asnjë vendim që prek Ukrainën nuk do të merret nga SHBA-ja dhe Rusia pa pëlqimin e Kievit.
Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin janë planifikuar të takohen të premten në Anchorage, Alaska, për të diskutuar mënyrat për t’i dhënë fund luftës. /Ad.Ab./