E Hënë, 2 Nëntor 2026

ZELANDˠ E RE : Kryeministri: Netanyahu “ka humbur toruan” për Gazën

UELLINGTON, 13 gusht /ATSH -DPA/ – Kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, ka kritikuar në mënyrë të ashpër homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, duke i quajtur sulmet e fundit në Rripin e Gazës “plotësisht, plotësisht të papranueshme”.

Duke folur para gazetarëve, ai tha se mendon që Netanyahu “ka humbur toruan.” Ai shtoi se Izraeli ka injoruar vazhdimisht thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për akses të pakufizuar humanitar në Gaza, duke rrezikuar kështu pasoja edhe më të rënda.

Luxon theksoi se Zelanda e Re është shumë larg dhe ka shumë pak marrëdhënie tregtare me Izraelin, por këmbënguli se vendi i tij mbron vlera të forta dhe flet hapur për to.

Ai paralajmëroi se “zhvendosja e detyruar e njerëzve” dhe “aneksimi i Gazës” do të përbënin shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Kohët e fundit, Netanyahu ka njoftuar se plani i ri i luftës së Izraelit përfshin jo vetëm marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës, por edhe asgjësimin e elementeve të Hamasit në kampet e refugjatëve në pjesën qendrore të Rripit të Gazës. Ai ka thënë se synimi i Izraelit nuk është të pushtojë Gazën, por ta “çlirojë” atë nga Hamasi.

Qeveria në Uellington po shqyrton mundësinë e bashkimit me vende si Franca, Kanadaja dhe Australia në njohjen zyrtare të një shteti palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Luxon paralajmëroi se zhvillimet e fundit mund të shkatërrojnë rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›