E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi për trajtimin hormonal, Xhixho kërkon dëgjesë me Salën: Të sqarojë detajet

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në deklaratë për mediet përpara Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tha sot se PL denoncon vendimin e kësaj ministrie “që prek drejtpërdrejt fëmijët dhe familjet shqiptare, një vendim të marrë pa transparencë, pa debat publik dhe pa asnjë konsultim serioz me prindërit, ekspertët dhe shoqërinë”.

Sipas saj, në vende të ndryshme europiane politika të ngjashme janë rishikuar për shkak të shqetësimeve mbi pasojat afatgjata. Xhixho theksoi se qeveria nuk po garanton trajtimet e nevojshme për të sëmurët, ndërsa, sipas saj, po gjen fonde për politika që nuk përbëjnë prioritet urgjent.

“Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzim që parashikon trajtime hormonale për të mitur nga 14 vjeç, duke hapur rrugën për ndërhyrje me pasoja afatgjata në jetën e fëmijëve. Në një çështje kaq të ndjeshme, që prek zhvillimin fizik dhe psikologjik të të rinjve, shteti ka detyrimin të garantojë transparencë të plotë, debat publik dhe mbrojtjen maksimale të interesit më të mirë të fëmijës. Secila prej këtyre është injoruar tërësisht”, u shpreh Xhixho.

Sipas saj, në shumë vende europiane, politika të ngjashme janë vënë në diskutim dhe janë rishikuar pikërisht për shkak të shqetësimeve mbi pasojat afatgjata dhe vendimet e marra në moshë të hershme.

“Sot, pacientët me kancer përballen me mungesën e ilaçeve jetike. Spitalet vuajnë nga mungesa e pajisjeve, e medikamenteve dhe e shërbimeve bazë. Qytetarët vazhdojnë të paguajnë nga xhepi për analiza, ekzaminime dhe barna, ndërsa premtimi për “shëndetësi falas” mbetet një nga mashtrimet më të mëdha të që u janë bërë ndonjëherë shqiptarëve”, tha ajo.

Xhixho shtoi se familja shqiptare meriton respekt dhe se prindërit duhet të dëgjohen në çdo vendim që prek të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ajo kërkoi që politikat publike të fokusohen në mbrojtjen e fëmijëve, forcimin e familjes dhe garantimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët.

Xhixho paralajmëroi se do të përdorë të gjitha mjetet institucionale, parlamentare dhe ligjore për të kërkuar transparencë të plotë mbi udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe për të kundërshtuar çdo vendim që, sipas saj, është marrë pa konsultim publik.

Xhixho, shtoi se si anëtare e Komisionit të Shëndetësisë do të kërkojë me urgjencë një dëgjesë me ministren e Shëndetësisë për të dhënë llogari dhe sqaruar çdo detaj të këtij urdhri.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›