E Martë, 3 Nëntor 2026

Ujëvara e Topojanit, ambientalistët duan të shpallet monument natyror

Atraksionet turistike të Kukësit po vizitohen vit pas viti në numër të shumtë nga vendas dhe të huaj.

Bukuria që të ofron e gjithë rruga e Grykës së Vanave të fton në disa nga pikat më tërheqëse të kësaj zone, ndër to edhe Ujëvara e Topojanit.

Vetëm në këtë zonë të Kukësit janë shpallur gjashtë monumente natyrore.

Ambientalisti Bukurosh Onuzi ka propozuar që pjesë e këtyre monumenteve të jetë edhe Ujëvara e Topojanit.

“Ndodhemi në një zonë, që është pjesë lidhëse e parkut Korab-Koritnik, një zonë e mbrojtur e cila ka krijuar disa shtigje natyrore për ta bërë më interesant këtë atraksion shumë të lakmuar,” thotë z. Onuzi.

Ambientalisti këshillon që këtyre bukurive duhet t’ju marrim maksimumin, pa i dëmtuar.

“Dhe për të rinjtë, që sot janë 100–200 veta duke e përdorur si pikë plazhi, ta mbajnë pastër dhe të interesohen për mjedisin,” shprehet ai.

Ujëvara e Topojanit është një atraksion natyror që e shpërblen me çlodhje dhe kënaqësi të jashtëzakonshme udhëtimin e një vizitori.

Mirëmbajtja dhe informacionet për këtë atraksion turistik duhet të jenë në mënyrë të vazhdueshme, e kështu që të jetë e gatshme për të mirëpritur vizitorë të tjerë.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›