E Martë, 3 Nëntor 2026

Kostot e votës nga jashtë, Celibashi: Mbi 3 mln euro vetëm platforma elektronike e regjistrimit!

Votimi i emigrantëve pa qenë prezent ne Shqipëri po përballet me disa sfida të cilat janë sa teknike po aq dhe financiare.
Për  të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit, hapi i parë për të marrë pjesë në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, është regjistrimi në platformën elektronike që po ndërtohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha për mediat se “ajo çfarë dimë pak a shumë me siguri është kosto e platformës elektronike të regjistrimit të votuesve që shkon rreth 3 milion euro përafërsisht”. 

Por kostoja e zgjedhjeve shtohet pasi votimi nga jashtë do realizohet me postë. Shpenzimet do të ndahen mes Komisionit Qendror te Zgjedhjeve i cili dërgon fletën e votimit dhe emigrantit që duhet ta ktheje tek i njëjti institucion.

Por kontraktimi i një poste ndërkombëtarë do të bëjë që fatura e zgjedhjeve të pranverës të fryhet edhe më shumë.

Zoti Celibashi thotë se “nëse do përdoret shërbim postar i huaj, llogaritja mesatare shkon 30 apo 40 euro. Nëse do te votonin 1.1 milion sikurse mendohet që është numri i votuesve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë këtë shumë do ta shumëzojë me 20 apo 30-40 euro. Ka goxha kosto”  shprehet ai.

Emigrantët nuk do kenë mandate të rezervuara, por vota e tyre do llogaritet në qarkun ku ata kanë pasur vendbanimin fundit në Shqipëri. 

Po a rrezikon te identifikohet vota ne qarqet e vogla ku numri i votuesve nga jashtë do ishte modest?

“Nëse do ketë vetëm 1 votues, është e qartë që hapja e asaj flete të votimit tregon qartë se si dhe për kë ka votuar ky votues. Jemi duke konsideruar këtë rast sesi do të operojmë kur kemi vetëm 1 votues”  spjegon Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›